Prodhuesit, mes studimit të alternativës së importit dhe shkurtimit të vendeve të punës
Humbja e konkurrueshmërisë, e ndikuar nga shtimi i kostove, po detyron disa prodhues shqiptarë që gradualisht të shndërrohen në importues për të mbijetuar.
Ish-drejtuesit e fabrikës së birrës “Stela” ishin ndër prodhuesit e parë, që importuan marka të huaja birrash, përveç sasisë së prodhimit, me qëllim amortizimin e humbjeve nga rënia e shitjes së prodhimit vendas.
“Kemi shtuar produkte të importuara premium, si lëngje frutash dhe birrë importi, për të rritur xhiron. Qeveria aktuale nuk e ka përparësi prodhimin, kështu që duhet të përshtatemi të gjithë”, pohoi më herët Enzo Panteqi, ish-administratori i fabrikës së birrës “Stela”.
Importet e birrës po studiohen si mundësi edhe nga prodhues të tjerë. “Është detyrë e të gjitha shoqërive që të studiojnë në imtësi të gjitha mundësitë që mund të jepen për të bërë ekuilibrimin e prodhimit në vend dhe rritjen e fitimit të shoqërisë.
Nga ana e birrës ‘Korça’ po studiohen këto mundësi, por gjithmonë duke pasur si kusht të panegociueshëm standardin e cilësisë, shijes dhe traditës origjinale të markës sonë”.
Edhe drejtuesi i fabrikës prodhuese të birrës “Kaon”, Artan Stroka, tha se po studion mundësinë për të importuar një birrë të markës gjermane, që më pas do të shpërndahet nga rrjeti i kompanisë që ai drejton.
Aktualisht zoti Stroka thotë se edhe me fillimin e sezonit turistik nuk pritet të këtë rritje të ndjeshme të kërkesës, pasi prodhuesit vendas nuk janë në gjendje të përballojnë konkurrueshmërinë në çmime.
Për këtë arsye, z. Stroka pohoi se është i detyruar të shkurtojë rreth 30% të stafit në vitin 2025.
“Para ndryshimeve fiskale për rritjen e akcizës së birrës në fabrikë numëroheshin 170 të punësuar. Pas rritjes së akcizës në 2023 nga shtimi i kostove, numri i punonjësve u shkurtua me 50%.
Pas muajit maj parashikojmë të shkurtojmë një të tretën e stafit të mbetur për shkak të mospërballimit të kostove dhe mungesës së shitjes”, nënvizoi Artan Stroka i birrës “Kaon”.
Rekord importesh në 2024, më të lartat në 11 vite
Sipas të dhënave të Doganave, në vitin 2024, në total u importuan 59,4 mln litra birrë. Kjo është sasia më e lartë e importit të birrës në 11 vitet e fundit, përkatësisht periudha nga 2013 deri në 2024.
Krahasuar me vitin paraardhës, importet në sasi u shtuan me rreth 7%. Ndonëse muaji janar nuk karakterizohet për konsum të lartë të birrës, pesha e birrave të huaja në këtë periudhë është rritur në tregun vendas. Për muajin janar 2025, sipas të dhënave të Doganave, u importuan 3,2 mln litra birrë.
Krahasuar me muajin janar të vitit paraardhës, sasia e importeve u rrit me 35%. Nga 53% në muajin janar 2024, pesha e tyre në janar 2025 arriti në 56%.
Përfaqësues të kompanisë “Eurolab Internacional Grup”, që importon mbi 25 lloje birrash të huaja, pohuan se kërkesa është në rritje si gjatë 2024-s, edhe gjatë muajve të parë të këtij viti.
Rritja e kërkesës sipas tyre nuk ndikohet nga çmimet e shitjes, pasi birrat e huaja shiten më shtrenjtë sesa nga ato vendase, por nga qëndrueshmëria e markave që importohen, investimet në marketing dhe cilësia.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.