Legjenda e boksit në peshat e rënda, George Foreman, ka ndërruar jetë në moshën 76-vjeçare.
I njohur si “Big George” në ring, amerikani ndërtoi një nga karrierat më të jashtëzakonshme dhe më jetëgjata në këtë sport, duke fituar medaljen e artë olimpike në vitin 1968 dhe duke u shpallur kampion bote në peshat e rënda dy herë, me një diferencë prej 21 vitesh mes titujve, suksesi i tij i dytë e bëri kampionin më të moshuar në histori në moshën 45-vjeçare.
Ai humbi titullin e tij të parë përballë Muhammad Ali-t në duelin legjendar “Rumble in the Jungle” në vitin 1974.
Megjithatë, ai regjistroi një rekord të jashtëzakonshëm me 76 fitore, përfshirë 68 me nokaut, gati dyfishin e nokautëve të Ali-t.
Foreman u tërhoq nga boksi në vitin 1997, por jo pa e lidhur emrin e tij me një pajisje kuzhine – një zgjedhje që i solli pasuri që e tejkaluan ndjeshëm fitimet nga karriera e tij në boks.
Familja e tij njoftoi në një postim në Instagram të premten në mbrëmje:
“Zemrat tona janë të thyera. Një predikues i devotshëm, një bashkëshort i përkushtuar, një baba i dashur dhe një gjysh e stërgjysh krenar, ai jetoi një jetë të udhëhequr nga besimi i palëkundur, përulësia dhe qëllimi.”
Në deklaratë thuhej gjithashtu:
“Një humanitar, një olimpist dhe dy herë kampion bote në peshat e rënda, ai ishte një njeri i respektuar – një forcë për të mirën, një njeri i disiplinës dhe bindjeve të forta, si dhe një mbrojtës i trashëgimisë së tij, duke luftuar vazhdimisht për të ruajtur emrin e mirë – për familjen e tij.”
Hommage dhe mesazhe ngushëllimi kanë ardhur nga shumë figura të boksit. Ish-kampioni botëror i peshave të rënda, Mike Tyson, tha se kontributi i Foreman-it në boks dhe më gjerë “nuk do të harrohet kurrë”, përcjell BBC.
George Foreman lindi në Marshall, Texas, më 10 janar 1949 dhe u rrit bashkë me gjashtë motra e vëllezër nga një nënë e vetme në Jugun e segreguar të SHBA-së.
Ai braktisi shkollën dhe u përfshi në grabitje rrugore para se të gjente shpëtimin e tij në boks.
Në vitin 1968, në moshën 19-vjeçare, ai fitoi medaljen e artë olimpike në Meksiko Siti, përpara se të kalonte në boksin profesionist dhe të fitonte 37 ndeshjet e para. Në karrierën e tij, ai pësoi vetëm pesë humbje.
Në vitin 1973, ai mposhti kampionin e pamposhtur deri atëherë, Joe Frazier, në Kingston të Xhamajkës, duke e rrëzuar në tapet gjashtë herë në dy raundet e para.
Ndeshja e tij e vitit 1974 kundër Muhammad Ali-t në Kinshasa, Zaire (sot Republika Demokratike e Kongos), mbetet një nga duelet më të famshme të boksit të të gjitha kohërave.
Ali, i cili ishte më i moshuar dhe shihej si i disfavorshëm pas pezullimit të tij nga boksi për refuzimin e shërbimit ushtarak në Luftën e Vietnamit, përdori taktikën e famshme “rope-a-dope”, duke e lodhur Foreman-in deri sa e rrëzoi me një seri goditjesh në raundin e tetë.
Pas një humbjeje të dytë në karrierë, Foreman u tërhoq nga boksit në vitin 1977 dhe u shugurua si pastor në Kishën e Zotit Jezu Krisht në Texas, të cilën e themeloi dhe ndërtoi vetë.