Ndalohet lundrimi në Vlorë për shkak të motit të keq


Përkeqësimi i kushteve atmosferike në Shqipëri ka detyruar Autoritetin Portual të Vlorës të ndalojë lundrimin e mjeteve të vogla dhe atyre të peshkimit nga data 23 deri më 25 mars.

Si masë shtesë sigurie, është pezulluar gjithashtu lundrimi i anijeve të transportit ndërkombëtar të pasagjerëve dhe automjeteve në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë.

Parashikohet që kushtet hidrometeorologjike të përmirësohen pas orës 22:00 të datës 24 mars.

Njoftimi i Autoritetit Portual:

Njoftim për kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuar gjatë datave 23-25.03.2025 !

Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 23-25.03.2025 duke filluar nga ora 08:00 datë 23.03.2025 në drejtimin JUG-JUG-LINDJE në forcën deri 8-9bft me shpejtësi ere deri 25-40m/s dhe lartësi dallge nga 2.50 deri 4.50 metra.

Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjithë subjekteve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për të marrë të gjitha masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritje e gatishmërisë së ekuipazhit në mjetet lundruese.

1.Është ndaluar paisja me leje-nisje i mjeteve te vogla lundruese dhe ato te peshkimit të cilat operojnë në det të hapur duke filluar nga ora 06:00 datë 23.03.2025.

2.Të gjithë drejtuesit e mjeteve të vogla lundruese dhe anijeve të peshkimit që operojnë brenda dhe jashtë gjirit të vlorës të marin në konsideratë kushtet hidrometeorologjike dhe marjen e masave për sigurimin e tyre.

3.Anijet e transportit ndërkombëtar detar për pasagjer dhe automjete në linjën Vlorë – Brindisi – Vlorë, do të anulohet deri në përmirësimin e kushteve hidrometeorologjike detare e cila do të jetë mbas orës 22:00 të datës 24.03.2025.

4.Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 08:00 të datës 25.03.2025.