SHBA/ Roli i mijëra agjentëve po devijohet për të goditur emigracionin e paligjshëm


Agjentë federalë që zakonisht ndjekin abuzues të fëmijëve tani po godasin emigrantët që jetojnë ilegalisht në SHBA.

Hetues të Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), të specializuar në pastrimin e parave, po kryejnë bastisje në restorante dhe biznese të vogla për të gjetur emigrantë që nuk janë të autorizuar të punojnë.

Por edhe agjentët që zakonisht ndjekin trafikantët e drogës dhe mashtrimin fiskal po riorientohen për të zbatuar ligjet e emigracionit.

Ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premton të deportojë “miliona e miliona kriminelë të huaj”, mijëra zyrtarë federalë të zbatimit të ligjit nga disa agjenci po mobilizohen për të zbatuar urdhrat e tij, duke i zhvendosur burimet e hetimeve nga fusha të tjera si trafikimi i drogës, terrorizmi, abuzimi seksual dhe mashtrimi.

Ky riorganizim i forcave federale të zbatimit të ligjit, më i rëndësishmi që nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001,  bazohet në intervista me mbi 20 agjentë federalë, avokatë dhe zyrtarë të tjerë.

Pothuajse të gjithë folën në mënyrë anonime, pasi nuk ishin të autorizuar të diskutonin punën e tyre.

“Nuk kujtoj të kem parë ndonjëherë një spektër kaq të gjerë të burimeve federale të zhvendosura drejt zbatimit të ligjeve të emigracionit,” tha Theresa Cardinal Brown, një ish-zyrtare e Sigurisë Kombëtare që ka shërbyer si në administratat republikane ashtu edhe në ato demokrate.

“Kur u thua agjencive të ndalojnë atë që po bënin dhe të merren me këtë, gjithçka tjetër kalon në plan të dytë.”

Në një përgjigje për Reuters, Tricia McLaughlin, ndihmës-sekretare e Sigurisë Kombëtare, tha se qeveria amerikane po mobilizon forcat e zbatimit të ligjit në nivel federal dhe shtetëror për të gjetur, arrestuar dhe deportuar emigrantët ilegalë.

FBI-ja nuk iu përgjigj pyetjeve për ndryshimet në stafin e saj, por në një deklaratë tha se “po mbron SHBA-në nga shumë kërcënime”. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi këtë çështje.

Administrata Trump nuk ka dhënë një përmbledhje të plotë të ristrukturimit, por ky veprim kujton periudhën pas sulmeve të 11 shtatorit, kur Kongresi krijoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare, duke kombinuar 169,000 punonjës federalë nga agjenci të ndryshme dhe duke i fokusuar përpjekjet e FBI-së në luftën kundër terrorizmit.

 

Kritika nga demokratët

Qasja e ashpër e Trump-it për deportimin e emigrantëve e ka thelluar edhe më tej ndarjen politike në SHBA.

Senatori Dick Durbin, numri dy i demokratëve në Senatin amerikan, e cilësoi këtë goditje si “një devijim të gabuar dhe të kotë të burimeve”. Në një deklaratë për Reuters, ai tha se “po e bën Amerikën më pak të sigurt”, pasi zhvendos agjentët dhe zyrtarët nga hetimi i mashtrimeve korporative, terrorizmit, abuzimit seksual të fëmijëve dhe krimeve të tjera.

Zëvendësprokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, mohoi që këto ndryshime po pengojnë hetimet e tjera penale të rëndësishme. “E kundërshtoj plotësisht idenë se për shkak se po i japim prioritet emigracionit, nuk po ndjekim me të njëjtën forcë edhe krimin e dhunshëm,” tha ai në një intervistë për Reuters.

Ai mbrojti fushatën e administratës Trump për goditjen e emigracionit, duke thënë: “Presidenti Trump e sheh atë që ka ndodhur vitet e fundit si një pushtim të vërtetë, ndaj po përpiqemi ta zgjidhim këtë situatë.”

 

Nisma ekzekutive e Trump-it

Më 20 janar, në ditën e tij të parë në detyrë, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv duke kërkuar nga agjencitë federale të bashkëpunojnë për të luftuar “një pushtim” të emigrantëve të paligjshëm.

Ai i përshkroi 11 milionë emigrantët pa dokumente në SHBA si faktorët kryesorë pas krimit, dhunës së bandave dhe trafikimit të drogës – megjithëse këto pretendime nuk mbështeten nga të dhënat e qeverisë.

Trump i akuzoi gjithashtu emigrantët për shterimin e burimeve të qeverisë amerikane dhe heqjen e vendeve të punës për qytetarët.

 

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters