Si një nga firmat më të mëdha ligjore Demokrate përfundoi duke iu nënshtruar Trump-it


Që nga mandati i parë i Presidentit Trump, Brad S. Karp, kryetari i firmës ligjore Paul, Weiss, Rifkind, Wharton & Garrison, e paraqiti veten si një pengesë ndaj një presidencë që ai e konsideronte të paligjshme dhe të paparashikueshme.

Karp, i cili ka një histori të gjatë të mbledhjes së fondeve për demokratët, u përpoq të bashkonte firmat kryesore ligjore në “një thirrje për veprim” për të sfiduar Trumpin në gjykatë mbi çështje si politika e administratës për ndarjen e fëmijëve emigrantë nga prindërit e tyre. Ai deklaroi publikisht se avokatët ishin të detyruar të mbronin sundimin e ligjit.

Në vitin 2023, ai organizoi një mbledhje fondesh “Avokatët për Biden”, dhe një nga partnerët e tij kryesorë përgatiti në debate Zëvendëspresidenten Kamala Harris përballë Trumpit.

Prandaj, nuk ishte surprizë që Trump shënjestroi Paul Weiss me një urdhër ekzekutiv javën e kaluar, duke krijuar një kërcënim potencial ekzistencial për firmën, edhe pse urdhri ishte ligjërisht i dyshimtë dhe cenonte parimet themelore të sistemit të drejtësisë.

Si kundërpërgjigje, Karp filloi diskutime me një firmë tjetër të madhe për të paraqitur një front të bashkuar dhe dypartiak për të sfiduar urdhrin në gjykatë.

Por të mërkurën, në orën 08:30 të mëngjesit, Karp hyri në Zyrën Ovale, duke lënë mënjanë qasjen kundërshtare.

Tani, ai donte të arrinte një marrëveshje.

Një ditë më vonë, Trump njoftoi se Karp kishte pranuar të ofronte 40 milionë dollarë në shërbime pro bono për çështje që presidenti i kishte përkrahur, përfshirë një task-forcë të Departamentit të Drejtësisë kundër antisemitizmit “dhe projekte të tjera të dakorduara reciprokisht”.

Shtëpia e Bardhë tha se firma ishte zotuar të ndalonte përdorimin e politikave të diversitetit, barazisë dhe përfshirjes (DEI).

Ndërkohë, Trump deklaroi se Karp kishte pranuar se një ish-partner i firmës, i cili kishte punuar si prokuror në Manhattan dhe kishte shtyrë për akuza kriminale kundër Trumpit, kishte kryer “shkelje”. Këto pretendime bien ndesh me një kopje të deklaratës që Karp ndau me firmën e tij.

Duke vendosur të përshtatej me Trumpin, Karp ndoshta shpëtoi firmën e tij, e cila kishte 2.63 miliardë dollarë të ardhura vitin e kaluar dhe përfaqëson klientë të mëdhenj si Exxon Mobil dhe Apollo Global Management, nga humbja e klientëve dhe avokatëve.

Por, duke bërë këtë, Karp, i cili ishte pozicionuar si zëdhënës dhe avokat për profesionin ligjor, e la të pambrojtur komunitetin ligjor kundër fushatës së hakmarrjes së Trumpit, duke treguar se taktikat e tij të frikësimit mund të çonin edhe një firmë të fuqishme si Paul Weiss në bërjen e koncesioneve publike.

Në fakt, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha të premten se, pavarësisht marrëveshjes me Paul Weiss, Trump do të vazhdonte të shënjestronte firma ligjore me urdhra ekzekutivë, përfshirë disa që presidenti mund të nënshkruajë që javën e ardhshme.

Në Zyrën Ovale të premten, Trump deklaroi se firmat ligjore “kanë bërë gjëra të këqija” dhe e kishin sulmuar atë “pamëshirshëm, dhunshëm, në mënyrë të paligjshme”. Por tani, tha ai, “duan të bëjnë marrëveshje”.

Vendimi i Karpit tronditi shumë njerëz në botën ligjore, përfshirë disa brenda firmës së tij, të cilët u shqetësuan se firmat e tjera tani do të përballeshin me një zgjedhje midis nënshtrimit ndaj Trumpit ose braktisjes së parimeve dhe bindjeve të tyre politike për të shmangur katastrofën financiare.

Disa nga partnerët e firmës, veçanërisht ata që punojnë në ligjin e korporatave, këmbëngulën se firma nuk duhej të padiste administratën, ndërsa të tjerë, që merreshin me çështje të profilit të lartë, kërkuan të luftonin. Disa prej tyre shprehën zhgënjimin e tyre të premten që Karp kishte vendosur të negocionte.

Marrëveshja, megjithëse e mbështetur nga shumica e partnerëve të firmës, u prit me kritika të ashpra nga avokatët jashtë firmës dhe kundërshtarët e Trumpit.

Disa avokatë të lartë në institucione të mëdha financiare filluan të shprehin shqetësim dhe sugjeruan se mund të shqyrtonin tërheqjen e biznesit të tyre nga firma.

Trump ka vendosur firmat ligjore në qendër të përpjekjeve të tij për të marrë hak ndaj armiqve të tij, veçanërisht ndaj atyre të lidhur me përpjekjet për ta hetuar ose mbajtur atë ligjërisht përgjegjës.

Para se të shënjestronte Paul Weiss, Trump kishte lëshuar urdhra ekzekutivë kundër dy firmave të tjera, Covington & Burling dhe Perkins Coie.

Sipas burimeve, Karp fillimisht po përgatitej të padiste administratën Trump. Një gjykatës federal në Uashington e bllokoi përkohësisht urdhrin kundër Perkins Coie, duke thënë: “Më fut frikën ideja që një president mund të ndëshkojë individë dhe kompani në këtë mënyrë.”

Pavarësisht kësaj, Trump nënshkroi një urdhër të ngjashëm kundër Paul Weiss, duke treguar se nuk do të zmbrapset nga vendimet gjyqësore. Urdhri ekzekutiv ndalonte firmën të punonte me qeverinë dhe sugjeronte që klientët e saj mund të humbnin kontratat qeveritare, një goditje për firmën me mbi 1,000 avokatë në mbarë botën.

Në një email drejtuar stafit të enjten në mbrëmje, Karp e justifikoi vendimin e tij, duke thënë se ai thjesht kishte “ripohohuar” parimet e firmës të përcaktuara nga një prej partnerëve të saj origjinalë, gjyqtari Simon H. Rifkind. Por për shumë avokatë, ky veprim shihej si kapitullim përballë Trumpit.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e New York Times