Trump dëbon 530 mijë emigrantë nga SHBA


Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka njoftuar revokimin e statusit të përkohshëm ligjor për më shumë se 530 mijë emigrantë nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela. Sipas njoftimit të qeverisë federale, këta emigrantë duhet të largohen nga SHBA përpara datës 24 prill, kur lejet e tyre dhe mbrojtja nga dëbimi do të skadojnë, raporton BBC.

Këta emigrantë u pranuan fillimisht në SHBA përmes programit të sponsorizimit të njohur si CHNV, i krijuar gjatë administratës së ish-presidentit Joe Biden për të ofruar rrugë ligjore për migrim. Programi u prezantua në vitin 2022, fillimisht për venezuelasit, dhe më pas u zgjerua për të përfshirë shtetas nga Haiti, Kuba dhe Nikaragua. Megjithatë, sapo mori detyrën, Trump e pezulloi programin, duke e konsideruar atë të dështuar në qëllimet e tij.

Nuk është e qartë se sa nga këta emigrantë kanë arritur të sigurojnë një status alternativ që do t’u lejonte të qëndronin ligjërisht në SHBA. Sipas një njoftimi prej 35 faqesh në Regjistrin Federal, disa individë mund të lejohen të qëndrojnë bazuar në një “vlerësim rast pas rasti”.

Gjykatat kanë shprehur shqetësime lidhur me vendimin e Trump për të revokuar statusin e përkohshëm të emigrantëve, ndërsa një gjykatës ka kritikuar avokatët e qeverisë për sjellje “mosrespektuese” gjatë një çështjeje gjyqësore për dëbimet.

Ndërkohë, administrata Biden e mbrojti programin CHNV, duke argumentuar se ai ndihmoi në uljen e kalimeve të paligjshme në kufirin jugor dhe siguroi një kontroll më të mirë mbi ata që hynin në SHBA. Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS), nga ana tjetër, ka kritikuar administratën e mëparshme, duke thënë se programi nuk arriti të përmbushte qëllimet e tij.

Programi CHNV ka ndihmuar mbi 213 mijë haitianë të hyjnë në SHBA për shkak të përkeqësimit të kushteve në vendin e tyre. Përveç kësaj, më shumë se 120,700 venezuelas, 110,900 kubanë dhe mbi 93 mijë nikaraguanë kanë përfituar nga ai përpara se të mbyllej nga administrata Trump.

Gjithashtu, Trump po shqyrton mundësinë e revokimit të statusit të përkohshëm të mbrojtjes (TPS) për rreth 240 mijë ukrainas që u larguan drejt SHBA pas nisjes së pushtimit rus.

Muajin e kaluar, DHS njoftoi përfundimin e një tjetër programi emigracioni – statusin e përkohshëm të mbrojtjes (TPS) – për rreth 500 mijë haitianë që jetojnë në SHBA. TPS ishte dhënë për shtetasit e disa vendeve që përballeshin me konflikte të armatosura ose katastrofa natyrore, por pezullimi i tij po përballet me sfida ligjore.