Trump i heq lejen e sigurisë Harris-it, Hillary Clinton-it dhe zyrtarëve të tjerë


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka revokuar lejet e sigurisë për kundërshtarët e tij demokratë në zgjedhjet e mëparshme, Kamala Harris dhe Hillary Clinton, si dhe për një numër zyrtarësh të tjerë të lartë.

Ky veprim vjen pasi Trump tha në shkurt se po revokonte lejen e sigurisë për paraardhësin e tij, Joe Biden.

Ai e konfirmoi këtë vendim në njoftimin e fundit, duke shtuar se po revokonte gjithashtu lejet e sigurisë për “çdo anëtar tjetër” të familjes Biden.

“Kam vendosur që nuk është më në interesin kombëtar që personat e mëposhtëm të kenë qasje në informacione të klasifikuara,” thuhej në memorandumin e Trump-it, sipas BBC.

Ish-presidentët amerikanë dhe zyrtarët e lartë të sigurisë zakonisht e ruajnë lejen e sigurisë si një gjest mirësjelljeje.

Ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, si dhe ish-ligjvënësit republikanë Liz Cheney dhe Adam Kinzinger, ishin gjithashtu në listën e atyre që humbën aksesin në informacionet e klasifikuara – së bashku me Fiona Hill, një ish-këshilltare për çështjet ruse gjatë administratës së parë të Trump-it.

Emrat e tjerë në listë përfshijnë: Jake Sullivan, Lisa Monaco, Mark Zaid, Norman Eisen, Letitia James, Alvin Bragg, Andrew Weissmann dhe Alexander Vindman.

Më herët, Trump kishte revokuar lejet e sigurisë për më shumë se katër dhjetëra ish-zyrtarë të inteligjencës, të cilët ai i akuzoi se kishin ndërhyrë në zgjedhjet e vitit 2020 në favor të Biden-it – megjithëse nuk ofroi prova për këtë pretendim.

Në vitin 2021, Biden – në atë kohë president në detyrë – e ndaloi rivalin e tij të mundur, Trump, të kishte akses në informacionet e inteligjencës, duke cituar sjelljen e tij “të çrregullt”.