Kryebashkiaku i Stambollit, Ekrem Imamoglu, është arrestuar zyrtarisht dhe akuzuar për korrupsion, ndërsa pritet të shpallet kandidat presidencial i opozitës (CHP) për zgjedhjet e vitit 2028.
Ai i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si të motivuara politikisht. “Unë kurrë nuk do të përkulem,” ka deklaruar Imamoglu pasi u mbajt në paraburgim në pritje të gjykimit.
Arrestimi i tij ka shkaktuar protesta masive, disa nga më të mëdhatë në Turqi gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë, presidenti Erdogan i ka dënuar demonstratat, duke akuzuar CHP-në se po përpiqet të “turbullojë paqen dhe të polarizojë popullin”.
Ekrem Imamoglu ishte një nga më shumë se 100 personat e arrestuar në një operacion të madh hetimor të mërkurën, që përfshinte politikanë, gazetarë dhe biznesmenë.
Të dielën, ai u arrestua zyrtarisht dhe u akuzua për disa vepra penale, përfshirë “krijimin dhe drejtimin e një organizate kriminale, marrje ryshfeti, zhvatje, regjistrim të paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulim tenderash”.
Prokurorët kanë kërkuar gjithashtu ta akuzojnë për “ndihmë ndaj një organizate të armatosur terroriste”, por gjykata turke vendosi se “nuk është e nevojshme në këtë fazë” për ta përfshirë këtë akuzë.
Opozita CHP kishte një aleancë jozyrtare me Partinë pro-kurde për Barazi dhe Demokraci (DEM) në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. DEM është akuzuar për lidhje me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), gjë të cilën e mohon. PKK, e shpallur organizatë terroriste nga Turqia, BE, Britania dhe SHBA, shpalli armëpushim në fillim të këtij muaji, pas më shumë se 40 vitesh kryengritje kundër Turqisë./BBC