Banorët e fshatit Zogas në Skrapar protestë kundër punimeve të firmës së gurit


Banorët e fshatit Zogas në Skrapar kanë zhvilluar një protestë kundër punimeve të një firme guri që po punon prej disa javësh në fshatin e tyre. Ata thonë s punimet e kësaj firme janë shtrirë në një sipërfaqe malore, duke prekur tokat bujqësore të banorëve dhe kullotat e bagëtive.

Banorët tregojnë se kanë qënë banorët e fshatit Çerenisht ata që kanë hedhur firmat për kryerjen e punimeve në fshatin Zogas dhe bashkë me ta kanë firmosur edhe disa punonjës të administrates, duke paraqitur edhe dokumente për to, shkruan BW.

Kryeplaku i fshatit Zogas, Isa Plaku, ka deklaruar se në fshat ka ardhur një kompani dhe ka shkatërruar gjithçka në zonë, pasi banorët nuk po lëvizin dot as me bagëtitë për ti kullotur.

Plaku shprehet se kjo firmë guri është pa asnjë leje, edhe pse në bashki i është thënë se firma ka marrë leje nga ministria. Kryeplaku i fshatit deklaron se firmat për fillimin e këtyre punimeve janë marrë në mënyrë të parregullt dhe se këto punime janë duke dëmtuar tokat e bukës.

Banorët e fshatit Zogas shprehen se kjo firmë guri është anonime, sepse nuk ka asnjë tabelë që të tregojë kur do fillojnë apo kur do mbarojë punimet, sa është sipërfaqja ku do shtrihet dhe nuk kanë asnjë lloj dokumentacioni.

Banorët pohojnë se nuk është bërë asnjë lloj dëgjese publike me ta dhe se punimet e kësaj firme janë duke shkatërruar mjedisin, po dëmtojnë tokat bujqësore dhe po dëmtojnë blegtorinë në këtë fshat.