Parlamenti Europian do të organizojë një konferencë mbi krizën e strehimit më 24 mars 2025, në Bruksel, në bashkëpunim me Komisionin Europian. Qëllimi i këtij takimi është të diskutohet mbi mënyrat për të siguruar akses më të lehtë në strehim të përballueshëm për qytetarët e Bashkimit Europian.
Konferenca, e cila do të zhvillohet në ndërtesën Antall të Parlamentit Europian, do të mbledhë deputetë, përfaqësues të Komisionit dhe institucioneve të tjera të BE-së, si dhe autoritete kombëtare dhe rajonale për të shqyrtuar masat që mund të ndërmerren për të adresuar këtë krizë.
Takimi do të hapet nga kryetarja e Komitetit të Posaçëm për Krizën e Strehimit, Irene Tinagli, dhe Komisioneri Europian për Energjinë dhe Strehimin, Dan Jørgensen.
Diskutimet e konferencës do të ndihmojnë në përgatitjen e një raporti parlamentar mbi çështjen e strehimit, i cili pritet të prezantohet më vonë gjatë vitit. Po ashtu, pjesëmarrësit do të shqyrtojnë praktikat më të mira që janë duke u zbatuar në vendet anëtare për të përmirësuar aksesin në strehim të përballueshëm.
Parlamenti Europian ka krijuar së fundmi një Komitet të Posaçëm mbi Krizën e Strehimit në BE, me një mandat 12-mujor, për të propozuar zgjidhje për një strehim të denjë, të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët europianë. Ky komitet është ngarkuar me analizimin e nevojave të strehimit, vlerësimin e politikave ekzistuese në vendet anëtare dhe kontributin në zbatimin e planit europian për strehimin e përballueshëm.