Dy makina janë djegur në Lezhë ndërsa pronari ka bërë denoncomo në polici pasi dyshon se zjarri ka qenë i qëllimshëm. Për shkak të zjarrit, dy makinat në pronësi të 64-vjeçarit L.V. kanë pësuar djegie.
“Shtetasi me iniciale L. V., 64 vjeç, ka njoftuar policinë se ka rënë zjarr në dy automjete të parkuara në oborrin e banesës së tij. Si pasojë e zjarrit, të dy automjetet kanë pësuar dëmtime në pjesën e përparme. Grupi hetimor nën drejtimin Prokurorisë po punon për sqarimin rrethanave dhe shkakut të rënies së zjarrit, identifikimin dhe kapjen e autorit.” – thuhet në njoftimin e policisë.
Një 44-vjeçare është arrestuar në Tiranë pasi akuzohet se ka përplasur me makinë një të mitur 3-vjeçar dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
“Policia e Tiranës ka arrestuar një 44-vjeçare e cila aksidentoi në rrugën “3 Dëshmorët”, një fëmijë 3 vjeç dhe më pas është larguar nga vendngjarja. 3-vjeçari ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.” – thuhet në njoftim.
Në Vlorë policia ka parandaluar përshkallëzimin e një sherri pasi dy adoleshentë kanë kanosur me thika e shkopinj druri një 11-vjeçar.
“Policia e Vlorës ka parandaluar në kohë një ngjarje kriminale mes të miturve. Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, u parandalua një përshkallëzim i dhunës mes të miturve, ku dy adoleshentë, 15 dhe 17 vjeç, kanë kanosur, për motive të dobëta, një të mitur 11-vjeçar. Gjatë kontrollit të zonës që frekuentonin të miturit, u gjetën mjete prerëse dhe shkopinj druri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet për të dyja rastet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme. Policia e Vlorës mbetet e angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe fton qytetarët të bashkëpunojnë, duke denoncuar çdo paligjshmëri në numrin falas 112.”