Një parakalim i gabuar me automjetin e punës në tunelin e Rugës së Arbrit ka rezultuar në një masë administrative për efektivin që e drejtonte mjetin, pas publikimit të incidentit në rrjetet sociale.
Policia Rrugore e Dibrës ka vendosur një gjobë prej 40,000 lekësh dhe ka zbritur 15 pikë nga Leja e Drejtimit të drejtuesit të automjetit.
Pas verifikimit të kamerave, u identifikua targa e automjetit të Policisë që i përkiste Komisariatit të Policisë Bulqizë, dhe drejtuesi i mjetit u konstatua të ishte punonjësi i Policisë, Inspektor D.D.
“Drejtoria e Standardeve Profesionale nisur nga shkelja e kryer e cila ka impakt negativ te qytetarët dhe shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor rrezikon jetën e përdoruesve të rrugës, në zbatim të Nenit 121, Ligjit 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ndaj drejtuesit të automjetit inspektor D.D dhe Shefit të Komisariatit të Policisë Bulqizë Kryekomisar E.P, ka nisur hetimin disiplinor, për shkelje të rëndë; “Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi” dhe “Keqpërdorimi i atributeve/ kompetencave të policisë”, njoftoi sot policia.