Finlanda rradhitet sërish e para ndër vendet më të lumtura në botë


Për të tetin vit radhazi, Finlanda renditet e para në Raportin vjetor të Lumturisë Botërore. Raporti, i publikuar në Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së, bazohet në analizën se si banorët e mbi 140 vendeve e vlerësojnë cilësinë e jetës së tyre. Me 10, që do të thotë se dikush aktualisht po jeton jetën më të mirë të mundshme që mund të imagjinojë, finlandezët dolën të parët, me një mesatare 7.74 pikë.

“Ata janë të pasur, të shëndetshëm, kanë lidhje shoqërore, mbështetje sociale dhe janë të lidhur me natyrën,” thotë për Fortune Jan-Emmanuel De Neve, profesor i ekonomisë në Universitetin e Oksfordit, drejtues i Qendrës Kërkimore të Mirëqenies dhe redaktor i Raportit të Lumturisë Botërore.

“Ata nuk janë njerëz të lumtur, të gëzuar apo duke kërcyer në rrugë, por janë shumë të kënaqur me jetën e tyre.”

Finlanda u pasua nga Danimarka (në vendin e dytë), Islanda (në vendin e tretë), Suedia (nr.4) dhe Holanda (nr.5).

Ndërsa Meksika (nr. 10) dhe Kosta Rika (nr. 6) iu bashkuan top 10 për herë të parë në historinë e listës, SHBA zbritën në renditjen më të ulët, në vendin e 24-t. Vitin e kaluar, SHBA u rendit në 20 vendet e para për herë të parë që nga fillimi i renditjes në 2012-ës.

Vendet nordike, historikisht në krye, po bëhen më të lumtura ndërsa SHBA-të po bëhen më pak të lumtura. Ndërsa GDP për frymë është relativisht e ngjashme në të gjithë vendet nordike, SHBA, Australi dhe MB, shpërndarja e pasurisë i veçon ato.

Ndërsa analiza e renditjes faktorizonte PBB-në për frymë të një vendi, shpërndarjen e pasurisë dhe jetëgjatësinë, studiuesit zbuluan se besimi dhe lidhjet shoqërore ndihmojnë në përcaktimin e lumturisë më shumë sesa njerëzit mund të mendojnë.

Këtë vit, studiuesit gjetën një lidhje të fortë, midis dikujt që besonte në mirësinë e të tjerëve dhe lumturisë së perceptuar të tyre. Ruajtja e një ndjenje të fortë të komunitetit, me veprime të tilla si të ngrënit rregullisht me të tjerët, për shembull, përmirëson besimin shoqëror dhe lumturinë, thuhet në raport.

Sa i përket Meksikës dhe Kosta Rikës, që renditen në 10-shen e parë për herë të parë në historinë e listës, De Neve tregon forcën e strukturës sociale të vendeve.

Vendet e Amerikës Latine raportuan numrin më të madh të ngrënies së vakteve së bashku me të tjerët dhe u renditën lart në kategorinë e lidhjeve shoqërore dhe besimin. Kjo ndihmon për të shpjeguar pse renditja e tyre u ul në mënyrë më dramatike në vitet e izolimit të COVID-19.

De Neve thotë se 13 nga 14 vaktet e ndara gjatë shtatë ditëve të javës lidhen me mirëqënie më të lartë. Raporti publikohet çdo vit nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, së bashku me partnerët Gallup, Rrjetin e Zgjidhjeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së dhe një bord redaktues, që analizon gjetjet pro bono.

Ndërsa De Neve kërkonte arsyen përse Finlanda e ruajti vendin e parë, doli në dritë diçka tjetër që i ndihmoi ata të dalloheshin edhe nga homologët e tyre nordikë.

“Ata janë të kënaqur me më pak,” thotë ai. “Ata kishin më pak dhe janë më të kënaqur me më pak. Ata janë më të lumtur me atë që kanë.”

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.