Pentagoni do hetojë rrjedhjet e informacioneve sekrete të sigurisë kombëtare


Pentagoni tha se do hetojë ato që pretendon se janë rrjedhje të informacionit të sigurisë kombëtare, duke thënë se hetimet mund të përfshijnë teste poligrafike për punonjësit në Departamentin e Mbrojtjes.

Shefi i shtabit të Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth, Joe Kasper, dërgoi një memo të premten duke thënë se inteligjenca e Pentagonit dhe forcat e zbatimit të ligjit po hetojnë “zbulimet e fundit të paautorizuara” të informacionit të sigurisë kombëtare, pa ofruar hollësi rreth rrjedhjeve të supozuara.

“Zbulimet e fundit të paautorizuara të informacionit të sigurisë kombëtare që përfshijnë komunikime të ndjeshme me drejtuesit brenda Zyrës së Sekretarit të Mbrojtjes (OSD) kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe të plotë,” shkroi Kasper.

“Nëse ky hetim çon në informacione që identifikon një palë përgjegjëse për zbulimin e paautorizuar, atëherë informacioni do t’i referohet subjektit përkatës penal për ndjekje penale,” shtoi ai.

Memo e Kasper tha se poligrafët (pajisja e testit të së vërtetës) do përdoren “në përputhje me ligjin dhe politikën në fuqi”.

Presidenti Trump hodhi poshtë një raport nga The New York Times se këshilltari i tij i lartë, Elon Musk, do informohej se si SHBA-ja do trajtonte një luftë të mundshme me Kinën. Musk u përgjigj duke sugjeruar se njerëzit që nxjerrin “informacione të rreme keqdashëse” në media do identifikohen dhe ndiqen penalisht.

“New York Times po bën propagandë të pastër,” tha Musk të premten në X.

“Gjithashtu, pres me padurim ndjekjet penale të atyre në Pentagon që po nxjerrin informacione të rreme me qëllim të keq duke ia dhënë ato NYT. Ata do gjenden.”

Hetimet për rrjedhjet e supozuara në Pentagon vijnë pasi Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem zbuloi masën për të rritur testet e zbulimit të gënjeshtrës tek punonjësit, në një përpjekje për të identifikuar njerëzit që mund të nxjerrin informacion në media në lidhje me operacionet e dëbimit të emigrantëve të paligjshëm.

Departamenti i Drejtësisë njoftoi gjithashtu një hetim të premten për atë që supozohej të ishte “rrjedhje e përzgjedhur e informacionit të pasaktë, por megjithatë të fshehtë” nga agjencitë e inteligjencës në lidhje me një bandë venezueliane të quajtur Tren de Aragua, anëtarët e dyshuar të së cilës janë vënë në shënjestër nga administrata Trump për t’u larguar nga SHBA-ja.

Rrjedhjet nga brenda qeverisë federale ndodhin në çdo administratë nëpër agjenci të ndryshme.

Ndërsa provimet poligrafike zakonisht nuk janë të pranueshme në procedurat gjyqësore për shkak të shqetësimeve për mosbesueshmërinë e tyre, ato shpesh përdoren nga agjencitë federale të zbatimit të ligjit dhe për lejet e sigurisë kombëtare.

Gjykata e Lartë vendosi gjithashtu në vitin 1998 se testet poligrafike ishin të papranueshme në procedurat e drejtësisë ushtarake.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Fox

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian  Manjani