Policia në Milano sekuestron 90 kg marijuanë, mes të arrestuarve një shqiptar


Policia në Milano ka arrestuar një 35-vjeçar rumun dhe një 39-vjeçar shqiptar, të dy pa precedentë penalë, nën akuzën e posedimit të mbi 90 kilogramëve marijuanë me qëllim shitjeje.

Hetuesit ndaluan dy të dyshuarit pasi vunë re një makinë që po i afrohej një kamioni të parkuar në zonën e Brignano Gera d’Adda. Ata panë se shoferi i makinës i dorëzoi qese të mëdha plastike shoferit të kamionit dhe më pas u largua me nxitim.

Në atë moment, policia vendosi të kontrollonte kamionin me targa rumune, duke gjetur qesen e sapodorëzuar si dhe një pjesë të dyshemesë së mjetit që ishte e pa vida.

Pas çmontimit të dërrasave të dyshemesë së rimorkios, agjentët zbuluan pako të shumta marijuane me një peshë totale prej rreth 90 kilogramësh.