Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar një takim me shqiptarët në Napoli, ku ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për shkatërrimin e lirisë së shqiptarëve dhe rikthimin e censurës në vend.
Berisha kritikoi masat e qeverisë, përfshirë përdorimin e TikTok-ut si një mjet për të mbyllur gojën kritikëve të rinj, duke e quajtur këtë veprim si një mënyrë të pasinqertë për të shtypur mendimet e kundërta.
Ish-kryeministri theksoi se data 11 maj do të jetë një moment vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, duke paralajmëruar se shqiptarët do të mblidhen masivisht për të votuar.
“Edi Rama prite diasporën se po vjen pasi u shkatërrove shqiptarëve liritë dhe riktheve censurën. Ti vare në litar Tik Tok-un, mjetin më modern të komunikimit të të rinjve dhe e bëre sepse nuk duroje kritikat e tyre. 11 maji është dita e tyre dhe fundi yt.
Më 11 maj do vërshojnë nga deti dhe toka e ajri në Shqipëri. Shqiptarët i lindin nënat për të luftuar për liri, për t’i dalë zot Shqipërisë.
Prite diasporën Edi Rama, nuk ke vend mbi tokë”, tha Berisha.