Rama: S’kemi bërë sa duhet për Vlorën, pas 11 majit s’do i tolerojmë ata që sillen keq me demokratët


Kryeministri Rama po vijon turin e takimeve në vend për fushatën e 11 majit.

Gjatë një takimi në Vlorë, ai tha se qeveria e tij nuk ka dhënë aq sa duhet për qytetin ndërsa u shpreh i bindur për një rezultat më të mirë në zgjedhje.

“Këtë herë do të marrim një rezultat më të mirë. Do t’u japim mundësinë shumë qytetarëve që deri dje kanë qenë simpatizantë të punës që ne kemi bërë. Fakti që në të gjithë skuadrën e zgjedhjeve të 11 majit kemi vetëm një deputet që është aktualisht në detyrë, Vullneti, tregon se na është dashur të bëjmë një ndryshim total të skuadrës në Vlorë, pikërisht për të treguar se çfarë na ka munguar dhe çfarë duhet të bëjmë më tej. Disa deputetë, që unë i konsideroj miq, nuk kanë rrezatuar asgjë këtu në Vlorë. Ajo që ndodh në këtë qytet rrezaton më pas edhe në territoret e tjera, dhe më vjen keq për faktin që nuk kemi dhënë aq sa duhet në këtë qytet.” – tha Rama.

Ai shtoi më tej se pas 11 majit nuk do tolerohet asnjë zyrar i qeverisë apo përfaqësues i PS-së që sillet keq me demokratët.

“Dje Zamira më ka bërë një surprizë që është një nga momentet më të veçanta të karrierës time politike. Më ka ftuar dhe ulur në tryezë me rreth 100 vajza dhe djem të FRPD.Një ndjesi faji ndaj tyre nuk më është ndarë ndaj tyre. Ndjesa e fajit për faktin që ata pavarësisht se janë të rinj të angazhuar në një forcë politike, pavarësisht se ca kemi ne me atë forcë politike, pavarësisht se ajo forcë politike në Tiranë ka një surrat pa lidhje me djemtë dhe vajzat këtu më kanë vënë në pozitë të vështirë kur më kanë thënë si sillen përfaqësuesit e PS me ata që nuk i konsiderojnë pjesë të të njëjtës anë. Këto janë minimumi etik për një forcë politike si e jona. Dua që ne së bashku të jemi në një mendje që pas 11 majit duhet të vendosim tolerancë zero ndaj kujdo përfaqësuesi të PS që nuk i jep respekt dhe nuk i trajton në mënyrë të barabartë anëtarët e këtij komuniteti, aq më tepër për shkak të rreshtimit në një forcë tjetër politike.” – shtoi kryeministri.