Usha Vance, bashkëshortja e zëvendës presidentit të SHBA-së, JD Vance, do të udhëtojë të enjten drejt Groenlandës, ndërsa presidenti Donald Trump vazhdon të promovojë idenë e aneksimit të këtij territori strategjik gjysmë-autonom danez nga SHBA, raporton Reuters.
Ajo do të vizitojë Groenlandën së bashku me një delegacion amerikan për të parë vende historike, për të mësuar mbi trashëgiminë e territorit dhe për të marrë pjesë në garën kombëtare të sajave me qentë, bëri të ditur Shtëpia e Bardhë në një deklaratë. Delegacioni do të kthehet në SHBA më 29 mars.
Këshilltari për Sigurinë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Mike Waltz, dhe Sekretari i Energjisë, Chris Wright, do të vizitojnë një bazë ushtarake amerikane në Groenlandë si pjesë e kësaj udhëtimi, sipas një zyrtari amerikan. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Trump e ka bërë çështjen e aneksimit të Groenlandës një pikë të rëndësishme të diskutimeve që prej marrjes së mandatit të dytë më 20 janar. Vendndodhja strategjike dhe burimet e pasura minerare të Groenlandës mund të jenë me interes për SHBA-në, pasi ajo ndodhet përgjatë rrugës më të shkurtër nga Evropa në Amerikën e Veriut, një aspekt jetik për sistemin amerikan të paralajmërimit të raketave balistike.
Qeveritë e Groenlandës dhe Danimarkës kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj një lëvizjeje të tillë.
Qeveria e Groenlandës, e cila ndodhet aktualisht në një periudhë tranzicioni pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 marsit, të fituara nga një parti që favorizon një qasje të ngadaltë drejt pavarësisë nga Danimarka, nuk ka dhënë ende një përgjigje për këtë çështje.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, në një koment me shkrim mbi vizitën, deklaroi se “kjo është një çështje që e marrim seriozisht.” Ajo theksoi se Danimarka dëshiron të bashkëpunojë me SHBA-në, por në bazë të “rregullave themelore të sovranitetit.”
Ajo shtoi gjithashtu se dialogu me SHBA-në mbi Groenlandën do të zhvillohet në koordinim të ngushtë me qeverinë daneze dhe qeverinë e ardhshme të Groenlandës.