Një turist në Meksikë përballet me akuza pasi u ngjit në shkallët e një prej Shtatë Mrekullive të Reja të Botës, para se vendasit e zemëruar ta dhunonin.
Ai ishte një nga dy vizitorët që ngjitën piramidën të enjten, ndërkohë që rreth 9,000 turistë u grumbulluan te tempulli – i njohur si El Castillo – për të vëzhguar ekuinoksin e pranverës, përcjell Fox News.
Njëri nga shkelësit, një turist gjerman 38-vjeçar, raportohet se u përpoq të fshihej brenda dhomës së piramidës, por u gjet nga autoritetet dhe u shoqërua jashtë vendit historik.
Përfaqësues të Gardës Kombëtare të Meksikës dhe punonjës të Institutit Kombëtar të Antropologjisë dhe Historisë (INAH) u përpoqën të mbronin turistin, i cili po sulmohej nga turmat, ndërkohë që shikuesit e zemëruar thoshin se ai duhej “sakrifikuar” – duke iu referuar sakrificave njerëzore që dikur bëheshin në majën e piramidës nga Maya të lashtë.
Ky incident ka ndodhur teksa mijëra turistë janë grumbulluar në Chichén Itzá për të vëzhguar një fenomen natyror të njohur si Zbritja e Gjarprit me Pendë, ku drita e diellit hedh një hije në formë gjarpri përgjatë shkallëve të piramidës gjatë ekuinoksit të pranverës.
Dy turistët u arrestuan dhe do të përballen me mundësinë e gjobave sipas Nenit 55 të Ligjit Federal për Monumentet dhe Zonat Arkeologjike, Artistike dhe Historike të Meksikës.
Një incident shumë i ngjashëm ndodhi dy vjet më parë kur një turist polak vendosi të ngjiste të njëjtën piramidë. Ai u filmua duke vrapuar për të ngjitur shkallët e tempullit të shenjtë, ndërkohë që një dëshmitar e goditi me një shkop ndërsa autoritetet e arrestuan atë. Ai u mbajt në burg për 12 orë dhe u gjobit me 5,000 peso.