Votat e Diasporës do mblidhen dhe numërohen te Parku Olimpik i Tiranës. Sipas KQZ-së, aty do kryhen
përgatitja e dokumentacionit zgjedhor, ruajtja dhe administrimi i votave nga jashtë deri në momentin e fillimit të numërimit, si dhe numërimi dhe vlerësimi i votave nga jashtë. Parku “Feti Borova” vëren KQZ-ja i përmbush të gjithë kushtet e kërkuara për procesin.
“Nga shqyrtimi i të dhënave të objekteve të paraqitura rezulton se Parku Olimpik i Tiranës “Feti Borova” përmbush kushtet e parashikuara në Kodin Zgjedhor dhe Vendimin përkatës të Komisionit Rregullator.
– Objekt me sipërfaqe të madhe, me shumë përdorime dhe me mundësi për organizimin e ngjarjeve të mëdha, me një kapacitet deri në 1200 persona, me ambient të posaçëm për administrimin, ruajtjen, numërimin dhe vlerësimin e votave nga jashtë;
– ndërtesë publike me hyrje të lirë;
– plotëson kriterin teknik të sipërfaqes së bazuar në numrin e tavolinave të numërimit për numërimin e votave nga jashtë vendit për të 12 qarqet;
– ofron lehtësira logjistike të transportit rrugor në ambientin e VNVJ;
– ofron kushte për aplikimin e teknologjisë mbështetëse për numërimin e votave nga jashtë;
– ka sistem të pandërprerë të furnizimit të enërgjisë elektrike.” – njofton KQZ.