Aksidenti i rëndë u merr jetën 12 personave në Meksikë


Dymbëdhjetë persona vdiqën dhe katër të tjerë u plagosën në veri të Meksikës të dielën pasi një furgon u përplas në një luginë dhe shpërtheu në flakë, duke shkaktuar një zjarr në pyllin përreth, thanë autoritetet shtetërore.

Aksidenti ndodhi në shtetin verior Nuevo Leon që kufizohet me SHBA-në, pak larg nga Monterrey, kryeqyteti i shtetit.

David de la Pena, kryebashkiaku i Santiago, tha në një videomesazh të shkurtër se aksidenti duket se ishte shkaktuar nga një defekt mekanik në automjet, shkruan Reuters.

Furgoni, i cili ra gati 120 metra në luginë, mbante 16 persona, thanë autoritetet shtetërore. Pamjet e shpërndara nga autoritetet treguan tymin që ngrihej nga një pyll i thatë, ku zjarri ishte përhapur me shpejtësi, dhe një helikopter që punonte për të shuar zjarrin.

Autoritetet shtetërore vlerësuan se rreth dy hektarë u dogjën para se zjarri të vihej nën kontroll.

Aksidenti është i fundit në një sërë aksidentesh rrugore me një numër të madh viktimash.

Në fillim të këtij muaji, 11 njerëz vdiqën në Meksikën jugore pasi një autobus u përmbys. Muajin e kaluar, 41 persona vdiqën gjithashtu në Meksikën jugore pasi një autobus u përplas me një kamion. Në fund të vitit të kaluar, 19 persona humbën jetën në një aksident autobusi në Meksikën qendrore.