Autoriteti i Konkurrencës ka autorizuar shitjen e kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend, Sigal Uniqa Group Austria.
Sipas marrëveshjes së arritur në nëntor të vitit të kaluar, grupi austriak UNIQA ka rënë dakord të shesë paketën prej 90% të aksioneve në shoqëri te Sigal Business Center, shoqëri e kontrolluar 100% nga Avni Ponari, aksioner pakice dhe administrator i Sigal Uniqa Group Austria.
Kompania blerëse, Sigal Business Center ka për objekt të veprimtarisë së saj investimin e kapitalit dhe të burimeve të tjera financiare, për blerje të pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, dhënia me qera e pasurive; zhvillimi dhe kryerja e aktiviteteve të shërbimeve, ofrimi i shërbimeve të hotelerisë, etj.
Në tregun shqiptar, Sigal Uniqa Group Austria ka pjesëmarrje kontrolluese edhe në shoqërinë e sigurimit të jetës Sigal Life Uniqa Group Austria. Nga ana e saj, Sigal Life Uniqa Group Austria zotëron 51% të aksioneve në shoqërinë Sigal Uniqa Invest (49% e aksioneve zotërohen nga Avni Ponari).
Sigal vepron gjithashtu në tregun kosovar, me dy ndërmarrjet e kontrolluara 100% prej saj, Sigal Uniqa Group Austria dhe Sigal Life Uniqa Group Austria.
Në Maqedoninë e Veriut, kompania vepron nëpërmjet Uniqa AD Skopje, me 99,95% të aksioneve dhe Uniqa Life AD Skopje, me 100% të aksioneve.
Sipas analizës së Autoritetit të Konkurrencës, transaksioni i njoftuar përbën një përqendrim konglomerat, pasi ndërmarrjet që marrin pjesë në përqendrim nuk kanë as marrëdhënie horizontale (si konkurrentë në të njëjtin treg përkatës) dhe as vertikale (si prodhues edhe klientë).
Fushat e veprimtarisë së palëve pjesëmarrëse në transaksion janë të ndryshme nga njëra – tjetra dhe për këtë arsye Autoriteti i Konkurrencës vlerëson se ky përqendrim nuk do të ketë ndikim në asnjërin prej tregjeve në të cilin secila nga shoqëritë operon, duke mos sjellë shqetësime për konkurrencën në treg dhe duke mos ndikuar në përjashtimin e konkurrentëve të tjerë nga tregu.
Pas realizimit të transaksionit, shoqëria Sigal Uniqa Group Austria do të vijojë të ushtrojë veprimtarinë e sigurimit, si para realizimit të përqendrimit. Përderisa numri i ndërmarrjeve që operojnë në tregun përkatës nuk ndryshon dhe produktet e sigurimit i gjejmë përgjithësisht tek të gjitha shoqëritë e sigurimit që operojnë në treg, konsumatori ka mundësi zgjedhje mes produkteve të njëjta tek shoqëria që ofron besueshmërinë, cilësinë apo çmimin më të përshtatshëm për të.
Përqendrimi nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë ndryshim dhe nuk do të ketë ndikim në tregun shqiptar.
Bazuar në këtë analizë, Komisioni i Konkurrencës vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë Sigal Uniqa Group Austria nga shoqëria Sigal Business Center.
Përfundimi i procesit të shitjes duhet të marrë miratimin e Autoriteteve të Konkurrencës dhe Autoriteteve Mbikëqyrëse të sigurimeve, në të treja tregjet ku kompania vepron, përkatësisht në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Largimi i UNIQA përfaqëson zhvillimin më të rëndësishëm në strukturën e pronësisë së tregut të sigurimeve për më shumë se 15 vjet. Tashmë, pesha e kapitalit vendas në këtë treg rritet më tej, duke ndjekur një tendencë të ngjashme që ishte përvijuar pas vitit 2015 edhe në sektorin bankar. I vetmi grup i huaj në tregun e sigurimeve ngelet Vienna Insurance Group, që kontrollon kompanitë Sigma dhe Intersig.
Sipas pasqyrave të konsoliduara financiare, në fund të vitit 2023 Sigal Uniqa Group Austria zotëronte aktive totale në vlerën e rreth 20.6 miliardë lekëve dhe një kapital aksioner prej 5.4 miliardë lekësh. Në të përfshihen edhe më shumë se tre miliardë lekë fitime të akumuluara dhe të pashpërndara. Grupi e mbylli vitin 2023 me një fitim neto në vlerën e 768 milionë lekëve, ndërsa e ardhura gjithëpërfshirëse, e rregulluar me efektin negativ të kursit të këmbimit nga kompanitë jashtë Shqipërisë, ishte 558 milionë lekë.
Sigal është prej shumë vitesh kompania kryesuese e tregut të sigurimeve në Shqipëri për nga vlera e primeve të shkruara bruto. Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në fund të vitit 2024, Sigal zotëronte 25.5% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jo-Jetës dhe 39.6% të primeve të shkruara bruto të sigurimit të Jetës./ E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor