Berisha prezanton programin e PD për mbështetje të bizneseve: Zero taksa për profesionet e lira


Kreu i PD, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp ka njoftuar anulimin e lehtësirave fiskale dhe shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike. Ai theksoi se do të rishikohet sistemi i taksave, duke përfshirë rimbursimin e TVSH-së në kohë reale dhe uljen e taksës për biznesin e vogël.

Në programin ekonomik të PD, janë parashikuar stimuj fiskalë dhe grante për të rinjtë, gratë dhe investitorët deri në moshën 35 vjeç. Gjithashtu, për studentët dhe profesionistët do të ofrohen grante prej 5-30 mijë euro për startup-e.

“Do anulohen të gjitha lehtësirat fiskale të dhëna nga ligje dhe vendime preferenciale, të porositura nga familjarë dhe oligarkë të qeveritarëve.

Paguajnë taksën 6%, në një kohë kur qytetari e paguan TVSH 20%.

 

Ligji për investimet strategjike, siç është nuk do të ekzistojë. Korporata e Investimeve Strategjike, korporata e korrupsionit më të madh në histori, merr fund javën e parë të qeverisë së PD dhe aleatëve.

Do të rishikohet në total sistemi aktual i gjobave dhe ndëshkimeve armiqësore ndaj biznesit.

TVSH do të rimbursohet në kohë reale dhe nuk do të jetë më diskrecion ministror.

Do të ngrihet menjëherë bordi i cili do të përcaktojë kompensimin e pasojave që vijnë nga ndryshimi i kursit të këmbimit, në mbrojtje të sipërmarrësve dhe prodhimit vendas, pasi narkoeuro është shndërruar në një shpallë demokleu për to dhe ata do të kompensohen.

Ekonomia informale do të përgjysmohet.

Objektivi afat mesëm për të ardhurat buxhetore do të jetë 30%.

Në programin e sipërmarrjes janë disa kategori që do të kenë trajtim të veçantë.

Këta janë të rinjtë, gratë dhe diaspora. Zero sigurime shoqërore dhe shëndetësore për 12 muaj, për punësimin e parë të të rinjve nga sipërmarrësi gjer në moshën 25-vjeçare.

Gjithashtu përjashtim nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat deri në moshën 25-vjeçare.

Stimuj fiskal dhe mbështetje financiare për investitorët nën moshën 35 vjeç.

Studentët, profesionistët do të mbështeten çdo vit me grante 5-30 mijë euro për startupet që do të fillojnë.

Do të hiqet barra e tatim fitimit për gratë që hapin një biznes dhe subvencionohen sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për to dhe stafin e tyre, me kushtin që të paktën gjysma e të punësuarve të jenë gra e vajza, ose të rinj deri në moshën 30 vjeç”, u shpreh ai.

Ai prezantuar pikat kryesore të programit të partisë për mbështetje të bizneseve. Ai propozoi tatimin 10% për të ardhurat, përjashtimin e taksës për profesionet e lira dhe biznesin e vogël, dhe uljen e taksës së shitjes së pronës nga 15% në 2%.

Berisha gjithashtu theksoi se do të krijohet kadastra fiskale, do të ulën inspektimet dhe do të rritet dixhitalizimi i bizneseve për thjeshtimin e procedurave fiskale. Ai premtoi gjithashtu heqjen e taksës për karburantin dhe do të vendoset çmimi i barabartë për karburantet me Kosovën dhe Maqedoninë.

“Do të zbatohet tatimi 10 përqind për të ardhurat nga puna duke përjashtuar 50 mijë lekët e para. Tatimi 10 përqind mbi të ardhur TË TJERA j nga paga. 0 taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani vjetor për tatim fitim 0 për biznesin e vogël do të jetë 18 mln lekë, apo 500 euro në ditë. Kufiri i përjashtimit do të jetë në masën 18 mln lekë xhiro vjetore apo 500 euro në ditë.
Ulje nga 15 në 2 përqind në taksën e shitjes së pronës. Krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimi e çmimeve tavan.
Bie taksa ‘Rama’ e karburantit dhe karburantet nuk do të shiten në Shqipëri me një çmim që ndryshon +-10% nga ai i Kosovës dhe Maqedonisë.
Do të reduktohet 4 herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese, 4 herë.
Do të bëhet gjithçka për dixhitalizimin më të plotë të veprimtarisë së bizneseve.
Do të thjeshtohet në maksimum legjislacioni fiskal, për të siguruar qëndrueshmëri të kodit dhe ligjeve fiskale.”, tha ai.