Duke shprehur gatishmërinë për të avancuar marrëdhëniet e Ankarasë me vendet evropiane, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha sot se Evropa nuk mund të garantojë sigurinë e saj pa Turqinë.
“Debatet e nxehta gjatë javëve të fundit kanë treguar se siguria evropiane pa Turqinë nuk do të jetë e mundur”, tha Erdogan pas një takimi të kabinetit në Ankara, përcjell AA.
“Nevoja e Evropës për vendin tonë ka filluar të pranohet hapur, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në shumë fusha, duke përfshirë ekonominë, diplomacinë dhe tregtinë”, theksoi Erdogan.
“Turqia është e gatshme të avancojë marrëdhëniet e saj me vendet evropiane dhe BE-në në kuadrin e interesave të përbashkëta dhe respektit të ndërsjellë”, shtoi ai.
Duke folur mbi marrëdhëniet midis vendit të tij dhe SHBA-së, presidenti turk tha se është shumë e mundur këto marrëdhënie të fitojnë një vrull ndryshe në mandatin e dytë të presidentit Donald Trump.
Ai tha se në telefonatën që zhvilloi së fundmi me Trumpin, të cilin ai e quajti “të ngrohtë”, dy liderët kanë diskutuar shumë çështje të rëndësishme, duke përfshirë heqjen e të gjitha pengesave para objektivit tregtar prej 100 miliardë dollarësh.
Më 16 mars, Erdogan dhe Trump zhvilluan një telefonatë gjatë së cilës presidenti turk shprehu besimin e tij të plotë se Ankaraja dhe Washingtoni do të avancojnë bashkëpunimin dypalësh përmes solidaritetit, një qasjeje të orientuar drejt rezultateve dhe në mënyrë të sinqertë në epokën e re të marrëdhënieve.