Hetimi gjurmon dhe zbulon dy spiune të rrjetit rus


Dy gra, pjesë e një rrjeti spiunazhi rus që vepronte nga Britania e Madhe, janë identifikuar për herë të parë sot nga një hetim i BBC-së.

Shtetaset bullgare Cvetelina Gencheva dhe Tsvetanka Doncheva morën pjesë në operacione të komplikuara survejimi kundër individëve që ishin objektiv i këtij rrjeti.

Asnjëra prej grave nuk iu përgjigj pyetjeve kur u kontaktuan nga BBC.

Gencheva, një punonjëse aeroporti, e hodhi telefonatën kur u thirr dhe tha se nuk dëshironte të komentonte mbi rastin, ndërsa Doncheva mohoi të ishte vetë ajo dhe u largua kur i erdhën pranë shtëpisë së saj në Vjenë, Austri.

Gjashtë shtetas të tjerë bullgarë po presin dënimin në Londër për rolet e tyre në spiunazhin për Rusinë si pjesë e këtij rrjeti.

Policia e përshkroi këtë rrjet si një operacion “shumë të sofistikuar” që ka kërcënuar jetën e individëve të survejuar. Tre prej të akuzuarve pranuan fajësinë, duke pohuar se ishin të vetëdijshëm që po punonin për Rusinë, ndërsa tre të tjerë u shpallën fajtorë këtë muaj pas një gjyqi në Old Bailey, pasi nuk mundën të bindnin jurinë që nuk ishin të lidhur me spiunazh.

Rrjeti drejtohej nga Jan Marsalek, një biznesmen austriak që u bë një agjent i inteligjencës ruse dhe që operonte jashtë vendit. Objektivat e rrjetit përfshinin gazetarë që kishin hetuar spiunazhin rus. Një prej tyre, Roman Dobrokhotov, i tha BBC-së se besonte se Vladimir Putin ishte përgjegjës për këtë operacion.

Gjatë gjyqit, u dëgjuan për dy gra misterioze që morën pjesë në operacione survejimi në Evropë. BBC-ja arriti të identifikonte dhe të konfirmonte identitetin e këtyre dy grave përmes kërkimit të hapur dhe burimeve të tjera.