OKB: Shkurtimet e fondeve nga SHBA rrezikojnë mbi 6 milionë vdekje shtesë nga AIDS


Kryetarja e programit të Kombeve të Bashkuara për HIV/AIDS, UNAIDS, tha të hënën se mbi 6 milionë vdekje shtesë nga kjo sëmundje priten si pasojë e shkurtimit të financimit nga SHBA-ja, raporton DW.

Drejtoresha ekzekutive e UNAIDS-it, Winnie Byanyima, e cilësoi reduktimin e papritur të fondeve nga SHBA-ja, e cila ka qenë donatori më i madh i programit, si “shkatërrues”.

“Po flasim për humbjen e përparimeve që kemi bërë gjatë 25 viteve të fundit. Është diçka shumë serioze,” u tha ajo gazetarëve në Gjenevë.

“Nëse ndihma e SHBA-së nuk rikthehet dhe nuk zëvendësohet nga burime të tjera financimi – dhe deri tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë qeveri tjetër që të ketë premtuar të mbulojë boshllëkun – do të kemi 6.3 milionë vdekje shtesë të lidhura me AIDS-in gjatë katër viteve të ardhshme,” tha Byanyima.

Ajo theksoi se në vitin 2023 u regjistruan rreth 600,000 vdekje nga AIDS-i në mbarë botën.

Byanyima shtoi gjithashtu se priten “edhe 8.7 milionë infeksione të reja”.

Përtej pasojave afatshkurtra, drejtoresha e UNAIDS-it paralajmëroi se nëse hendeku financiar nuk mbushet, pandemia e AIDS-it mund të rikthehet në nivelet e viteve 1990.

“Kjo nuk do të ndodhë vetëm në vendet me të ardhura të ulëta në Afrikë, ku aktualisht është përqendruar problemi, por edhe në grupet kryesore të popullsisë në Evropën Lindore dhe Amerikën Latine,” tha ajo.

“Do të shohim një përhapje të fuqishme të sëmundjes. Do ta shohim atë të rikthehet dhe njerëzit do të vdesin ashtu siç ndodhte në vitet ’90 dhe 2000.”

Presidenti amerikan Donald Trump dhe aleati i tij i ngushtë, miliarderi Elon Musk, kanë mbikëqyrur shkurtimet e mëdha në shpenzimet federale, përfshirë edhe ndihmën e jashtme të SHBA-së.

Vendimi për të shkurtuar financimin për luftën kundër AIDS-it ka shkaktuar protesta si brenda vendit ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.

Byanyima mbajti një ton mirëkuptues, ndërsa i bëri thirrje Shtëpisë së Bardhë të rishqyrtojë vendimin.

“Është e kuptueshme që SHBA dëshiron të zvogëlojë financimin e saj me kalimin e kohës, por tërheqja e papritur e mbështetjes që shpëton jetë po ka një ndikim shkatërrues,” tha ajo.

“Ne kërkojmë një rishqyrtim dhe një rikthim urgjent të shërbimeve, të shërbimeve që shpëtojnë jetë.”