Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se, 26 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë, Kosova vijon rrugëtimin e saj si një shtet krenar, sovran dhe i vendosur drejt një të ardhmeje më të ndritur.
Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Osmani e ka përshkruar 24 marsin 1999 si “ditën kur liria mori krahë” dhe kur “bota demokratike nuk heshti”, duke e cilësuar një moment vendimtar për popullin e Kosovës.
“Dita kur aleatët e NATO-s u ngritën kundër së keqes, për ta mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë. Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës”, shkroi ajo.
Bombardimet e NATO-s nisën pas masakrës së Reçakut dhe zgjatën 78 ditë, deri më 10 qershor 1999, kur u nënshkrua Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila përcaktoi tërheqjen e forcave serbe nga Kosova. Kjo marrëveshje u pasua nga miratimi i Rezolutës 1244 të OKB-së, e cila vendosi administratën e përkohshme të UNMIK-ut për menaxhimin e tranzicionit deri në krijimin e institucioneve vendore.
Më 12 qershor 1999, në Kosovë filloi vendosja e rreth 50.000 ushtarëve nga 36 vende të botës, prej të cilëve 30.000 ishin nga vendet anëtare të NATO-s.
Misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, vazhdon të jetë i pranishëm në Kosovë, duke garantuar sigurinë dhe stabilitetin në vend.
Gjatë luftës së viteve 1998-1999, mbi 13.000 civilë u vranë dhe mijëra të tjerë u zhdukën. Ende sot, mbi 1.600 persona, kryesisht shqiptarë, mbeten të pagjetur.