Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, të parat që përfitojnë parafinancim nga BE-ja


Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë vendet e para në Ballkanin Perëndimor që përfitojnë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.

Lidhur me këtë zhvillim ka reaguar edhe komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përmes një postimi në platformën X, ku ka inkurajuar të dyja vendet që të vijojnë me reformat e nevojshme.

“Urime Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapat e shpejtë në Ballkanin Perëndimor në marrjen e parafinancimit nga Plani i Rritjes së BE-së! Ky është një nxitës i rëndësishëm për zbatimin e reformave kyçe, të cilat do të kontribuojnë në rritjen ekonomike, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe afrimin e mëtejshëm me Bashkimin Evropian”, ka shkruar ajo.

Plani i Rritjes së BE-së synon të përshpejtojë integrimin e Ballkanit Perëndimor, duke i mundësuar qasje graduale në tregun e vetëm evropian. Ai mbështetet nga Lehtësia e Reformës dhe Rritjes për Ballkanin Perëndimor, një instrument i ri financiar i bazuar në performancë.

Në total, plani parashikon deri në 6 miliardë euro për periudhën 2024-2027, ku 2 miliardë euro do të jepen si grante dhe 4 miliardë euro si kredi me kushte të favorshme. Së paku gjysma e këtyre fondeve do të investohen në infrastrukturë dhe projekte të lidhura me transportin, energjinë, si dhe tranzicionin e gjelbër dhe dixhital.

Pjesa tjetër e fondeve do të përdoret si mbështetje financiare për buxhetet kombëtare, e kushtëzuar nga përparimi në zbatimin e reformave. Për të përfituar nga ky mekanizëm, çdo vend ka përgatitur një Agjendë Reforme, e cila është shqyrtuar dhe miratuar nga Komisioni Evropian pas një vlerësimi pozitiv nga Këshilli i BE-së.

Disbursimi i fondeve për çdo shtet do të varet nga progresi në zbatimin e reformave të përcaktuara në Agjendën e Reformës, e cila synon të përshpejtojë përafrimin me standardet dhe politikat e BE-së, duke sjellë ndryshime pozitive në shoqëri.