“Të rinjtë shpresa dhe energjia që politika 34-vjeçare e mban të ndrydhur” Taulanda Jupi ndan vizionin për të rinjtë në qeverisje


Kandidatja e Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, Taulanda Jupi, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në politikë, duke u shprehur se ata nuk duhet të trajtohen thjesht si “shpresa për të ardhmen”, por si energjia e domosdoshme për ndryshimin e sotëm.

Ajo theksoi se politika shqiptare, edhe pse përpiqet të paraqitet ndryshe, vazhdon të mbetet e vjetër në mendësi, duke refuzuar sfidën e ideve të reja dhe konkurrencën e ndershme. Sipas saj, të rinjtë nuk duan të korrigjojnë sistemin, por ta rindërtojnë nga e para.

Duke folur për kandidimin e saj, Jupi theksoi se synon të hapë një derë të mbyllur prej kohësh për të rinjtë, duke mos i trajtuar ata si një fasadë politike, por si një forcë e vërtetë ndryshimi.

Të rinjtë nuk janë thjesht ‘shpresa’, por energjia reale që po na mungon në vendimmarrje

Në këtë vend, ne i përmendim të rinjtë sa herë që kemi nevojë për duartrokitje. I quajmë “shpresë”, “e ardhme”, “kapital njerëzor”. Por në të vërtetë, i mbajmë larg. I mbajmë jashtë tryezave ku merren vendime. I mbajmë në pritje. U flasim për të ardhmen, ndërsa u mbyllim derën e së tashmes. Kjo nuk është harresë. Është strategji. Sepse është më komode të sundosh mbi një brez të përjashtuar, sesa të bashkëjetosh me një brez të vetëdijshëm.

Unë nuk besoj se të rinjtë duhet të trajtohen si shpresë. Shpresa është e turbullt, shpesh pasive. Ata janë energji konkrete, janë aftësi digjitale, janë rrjete komunitare, janë idealistë që nuk duan të korrigjojnë sistemin, por ta rindërtojnë nga e para. Dhe për këtë, shpesh ngjallin frikë tek ata që janë mësuar me status quo-në. Politika shqiptare, me gjithë grimin e saj të propagandës, është thellësisht e vjetër në mendësi — sepse refuzon konkurrencën e ideve, sfidën e ndershme dhe kontrollin demokratik që sjellin të rinjtë. Ajo nuk i duron të rinjtë që nuk i kontrollon dot. Dhe prandaj i fut nëpër forume “rinore” të zbrazëta, ku gjithçka është fasadë dhe asgjë nuk lëviz.

E kam parë këtë për vite me radhë në universitet, në auditor, në projekte të panumërta. Kam parë se çfarë mendojnë, çfarë ndjejnë dhe çfarë kërkojnë të rinjtë shqiptarë. Ata nuk kërkojnë favore. Kërkojnë dinjitet. Kërkojnë që fjala e tyre të peshojë po aq sa e kujtdo tjetër në këtë shoqëri. Dhe e drejta e tyre për të marrë vendime nuk është e negociueshme.

Për këtë arsye po kandidoj për Kuvendin e Shqipërisë. Jo për të zëvendësuar një vend bosh, por për të çelur një derë që ka qëndruar e mbyllur për shumë gjatë. Jo për t’i përfaqësuar të rinjtë si një zë “përfaqësues” ceremonial. Por për të thyer strukturat që i përjashtojnë. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë heshtje nga të rinjtë në stolat e pritjes. Ka nevojë për zërin e tyre të pandikuar, të pakonsultuar me interesat e zakonshme, dhe të pangatërruar me justifikimet e vjetra.

Sepse Shqipëria nuk ka më kohë të presë. Ose ne krijojmë një politikë që bashkëjeton me të rinjtë, ose do të përballemi me një brez që do ta braktisë këtë vend dhe do të na e boshatisë jo vetëm të ardhmen, por edhe të tashmen.                                                                                        

Të rinjtë nuk janë “shpresë për nesër”. Janë prova që politika e sotme po dështon. Dhe kush nuk e kupton këtë, nuk ka vend më në zyrat e shtetit.