Vlora sërish nën tym, zjarri përfshin fushën e mbetjeve


Fusha e mbetjeve në Vlorë u përfshi nga flakët mbrëmjen e 23 marsit, ndërsa zjarri vijon ende, duke rrezikuar pesë banesa afër. Ekipet zjarrfikëse dhe punonjësit e bashkisë po punojnë për shuarjen e tij.

Ky problem përsëritet shpesh, duke shkaktuar ndotje të ajrit dhe shqetësime për banorët. Zgjidhja e vetme sipas specialistëve është transferimi i mbetjeve në landfillin e Sherishtës, i cili mbetet jashtë funksionit pavarësisht premtimeve të autoriteteve.

Luan Kapaj, shef i zjarrëfikësve në Vlorë, thotë se zjarri u mbajt nën kontroll gjatë natës por në mëngjes u përhap i ndihmuar dhe nga era e fortë.

“Shërbimi zjarrfikës ka gjithë natën për izolimin e zjarrit dhe e ka mbajtur nën kontroll që të mos përhapej në të gjithë fushën por në mëngjes shpejtësia e erës përhapi flakët në veri, duke rrezikuar banesat.

Për momentin situata është nën kontroll dhe po përpiqemi ta mbajmë nën kontroll për të mos u përhapur më tej.

E vetmja mënyrë për të shuar zjarrin është mbulimi me dhe dhe lagia përsipër me ujë që të mos riaktivizohet vatra e zjarrit.”