Vritet 19-vjeçari në Kosovë, arrestohet bashkëmoshatari


Një 19-vjecar u vra mbrëmjen e djeshme në Vushtri të Kosovës, ndërsa autori i dyshuar u arrestua nga policia.

Viktima me iniciale A.Z. u qëllua në rrugën “Galip Badivuku” rreth orës 20 e 30 të mbrëmjes ndërsa pak më pas efektivët ndaluan bashkëmoshatarin e tij B.D. shkruan Telegrafi.

“Rreth orës 20:35 policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Avni Zahiti.

Pas incidentit, policia ka nisur hetimet dhe ka arritur të arrestojë të dyshuarin, ndërsa gjatë një bastisjeje në shtëpinë e tij ka konfiskuar një pistoletë dhe një armë të gjatë.

Ende nuk është bërë e qartë nëse ky incident ka lidhje me ndonjë konflikt të mëparshëm mes viktimës dhe autorit, apo nëse ka pasur ndonjë motiv tjetër.