Kryeministri i Groenlandës, Múte B Egede, ka kërkuar ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar pas njoftimit se këshilltari i sigurisë kombëtare të Donald Trump-it dhe zonja e dytë e SHBA-së do të vizitojnë ishullin Arktik, duke akuzuar Uashingtonin për “ndërhyrje të huaj”.
Mike Waltz dhe Usha Vance pritet të mbërrijnë këtë javë në Grenlandë si pjesë e një delegacioni ku do të marrë pjesë edhe sekretari amerikan i energjisë, Chris Wright.
Presidenti Trump ka premtuar ta bëjë Groenlandën pjesë të SHBA-së “një mënyrë apo një tjetër” dhe nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake apo ekonomike për ta realizuar këtë.
Një zëdhënës i policisë daneze tha se masa shtesë sigurie janë vendosur në Grenlandë përpara vizitës, duke përfshirë dërgimin e personelit shtesë dhe qenve të nuhatjes nëpërmjet një fluturimi të posaçëm charter.
Raportimet sugjerojnë se dhjetëra policë janë dislokuar për këtë qëllim, përcjell The Guardian.
Vizita vjen në një moment delikat politik për vendin, pasi Grenlanda është në mes të bisedimeve për formimin e një koalicioni qeverisës pas zgjedhjeve të fundit, ku Demokratët fituan shumicën e vendeve në parlamentin grenlandez, duke e kaluar partinë e Egede, Inuit Ataqatigiit (IA).
Egede reagoi ashpër ndaj njoftimit të Shtëpisë së Bardhë, duke akuzuar aleatët ndërkombëtarë për mungesë mbështetjeje dhe paralajmëroi se situata mund të përshkallëzohet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk merr masa.
“Aleatët perëndimorë dikur qëndronin së bashku dhe ndihmonin njëri-tjetrin në çdo situatë, por tani kjo ka ndryshuar me presidentin aktual të SHBA-së,” tha ai për gazetën grenlandeze Sermitsiaq.
“Nëse aleatët tanë vazhdojnë të qëndrojnë në heshtje dhe të mos flasin qartë për mënyrën se si SHBA po trajton Grenlandën, situata do të përshkallëzohet ditë pas dite dhe agresioni amerikan do të rritet,” shtoi ai.
Reagime nga liderët grenlandezë dhe danezë
Lideri i Demokratëve të Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, i cili pritet të bëhet kryeministri i ardhshëm, bëri thirrje për qetësi dhe tha se koalicioni i ri do të marrë kohën e nevojshme për të ndërtuar një qeveri të fortë dhe të qëndrueshme.
Ai akuzoi SHBA-në për “mungesë respekti”, duke argumentuar se vizita e delegacionit amerikan ndërkohë që po zhvillohen negociatat për qeverinë e re është një “ofensivë e pastër diplomatike”.
“Nëse lejojmë veten të ndikohemi nga kjo vizitë dhe të nxitojmë për të formuar një qeveri të re, mund të bëhemi edhe më të cenueshëm ndaj presionit,” tha ai për Sermitsiaq.
Ndërkohë, kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se vizita e delegacionit amerikan “nuk mund të shihet e ndarë nga deklaratat publike të bëra më parë”.
“Ne duam të bashkëpunojmë me amerikanët, por ky bashkëpunim duhet të bazohet në vlerat themelore të sovranitetit dhe respektit mes vendeve dhe popujve,” deklaroi Frederiksen.
Zyra e zonjës së dytë të SHBA-së, Usha Vance, konfirmoi të dielën se ajo do të vizitojë Grenlandën nga e enjtja deri të shtunën, së bashku me djalin e saj dhe delegacionin amerikan.
Shtëpia e Bardhë njoftoi gjithashtu se Mike Waltz dhe Chris Wright do të vizitojnë bazën ushtarake amerikane Pituffik në Grenlandë për të marrë informacione nga personeli amerikan.
Ata pritet të bashkohen me Vance për të vizituar disa vende historike dhe për të marrë pjesë në një garë me qentë e sajës, një aktivitet tradicional grenlandez.