Kryetari i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, ka deklaruar se është i vendosur të mbrojë çdo votë të qytetarëve në zgjedhjet e ardhshme, duke denoncuar njëkohësisht fenomenin e blerjes dhe shantazhimit të votës në Shqipëri.
Në një intervistë për MCN TV, Qori shprehu shqetësimin për raportimet se njerëzit detyrohen të votojnë nën presionin e humbjes së vendit të punës dhe se votat shiten e blihen.
“Të dyja këto janë vepra penale dhe të gjithë ata që kërcënojnë apo blejnë votat duhet të përgjigjen përpara drejtësisë,” theksoi ai, duke shpresuar për veprime konkrete nga SPAK në javët e ardhshme.
Megjithatë, ai tha se nuk e vendos besimin e tij te institucionet, por te aktivistët dhe mbështetësit e Lëvizjes Bashkë.
“Unë jam i sigurt se nuk do të na vidhet asnjë votë. Jo se nuk do të tentojnë ta bëjnë, por sepse nuk do t’i lejojmë ta bëjnë,” u shpreh ai.
Qori theksoi se Lëvizja Bashkë do të ketë vëzhgues në çdo qendër votimi dhe numërimi, të cilët do të qëndrojnë deri në fund të procesit për të garantuar transparencën.
“Dy vite më parë, si kandidat për kryetar bashkie në Tiranë, mora 13,852 vota dhe asnjë votë nuk na u vodh. Do të sigurohemi që e njëjta gjë të ndodhë edhe në këto zgjedhje,” shtoi ai.
Sipas tij, organizimi i Lëvizjes Bashkë do të jetë i tillë që çdo votë e hedhur për këtë parti do të numërohet si e tillë, duke mos lënë vend për manipulime. “Nuk do të dëgjoni kurrë nga unë që më kanë vjedhur votat, sepse nuk do të mund t’i vjedhin,” përfundoi Qori.
“Unë nuk e di çfarë do bëjë SPAK-u këto javë që kanë mbetur, uroj shumë që të shohim veprime konkrete, reale sepse ka indicie që në Shqipëri kërcënohen njerëzit për të votuar me vendin e punës dhe shitet e blihet vota. Të dyja këto janë vepra penale dhe të gjithë ata që kërcënojnë apo blejnë votat duhet të përgjigjen përpara drejtësisë.
Gjithsesi besimi im nuk është tek institucionet, besimi im është tek aktivistët dhe mbështetësit e Lëvizjes Bashkë. Unë jam i sigurt se Lëvizjes Bashkë nuk kanë për t’i vjedhur asnjë votë. Jo se nuk do tentojnë ta bëjnë por se nuk do t’i lejojmë ta bëjnë.
Ne do të kemi vëzhgues kudo, gjatë gjithë procesit të votimit dhe numërimit dhe do të jemi aty deri në fund me aktivistë të dedikuar, të guximshëm dhe seriozë për të ruajtur çdo votë.
Unë e kam thënë para dy vjetësh kur isha kandidat për kryetar bashkie i Tiranës, nuk do të dëgjoni nga unë kurrë që më kanë vjedhur votat se sdo na i vjedhin dot votat dhe qëndruam gjatë gjithë procesit këmbëngulës dhe të 13852 votat që unë mora si kandidat për kryetar bashkie ishin të gjitha votash qytetarësh, asnjë votë nuk kanë arritur të na rrëmbejnë dot.
Të njëjtën gjë do të them edhe për këto zgjedhje. Unë do të jem i vetmi kryetar partie që nuk fiton, në qoftë se nuk fitojmë në zgjedhjet e ardhshme që nuk do të dëgjoni nga unë më kanë vjedhur vota sepse ne do të kemi një të tillë organizim që çdo votë e hedhur në kuti për Lëvizjen Bashkë do të numërohet për Lëvizjen Bashkë”-deklaroi Qori.