Arrestohen vajza dhe bashkëshortja e pronarit të diskotekës “Pulse”, të dyshuara për tragjedinë në Koçan


Prokuroria Publike ka bërë të ditur se po vijon me kontrolle dhe masa hetimore lidhur me tragjedinë e diskotekës “Pulse” në Koçan.

Në kuadër të hetimeve, janë kryer bastisje në Koçan dhe Shkup, ku janë sekuestruar pajisje elektronike dhe prova të cilat tashmë janë dërguar për ekspertizë. Hetimet po përfshijnë edhe Policinë Financiare, mbi dyshimet për përfshirjen e subjekteve të ndryshme në ngjarjen tragjike.

Të hënën, bashkëshortja dhe vajza e pronarit të diskotekës “Pulse” janë arrestuar, ndërsa pesë telefona të konfiskuar gjatë operacionit ndodhen ende në polici. Autoritetet kanë kryer bastisje edhe në një tjetër pronë të pronarit të diskotekës, si dhe kanë kontrolluar zyrat e Inspektoratit Shtetëror të Tregut në Koçan. Ndërkohë, pronari i diskotekës ndodhet në një spital në Lituani, ku po trajtohet së bashku me tre pacientë të tjerë.

Numri i të dyshuarve në këtë rast ka arritur në 34, ndërsa ndaj 27 individëve dhe tre personave juridikë është hapur procedurë hetimore. Hetimet fillestare kanë përfshirë edhe shtatë nënpunës policor nga SPB Shtip dhe Koçan. Akuzat e ngritura lidhen me veprat penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Hetimet po drejtohen nga një ekip prej 11 prokurorësh nga Shkupi, Koçani dhe Shtipi.

Tragjedia ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 marsit, kur mbi 650 persona, kryesisht të rinj, po argëtoheshin në diskotekën “Pulse”. Gjatë performancës së grupit muzikor DNK, një zjarr i madh shpërtheu papritur, duke shkaktuar vdekjen e 59 personave dhe plagosjen e mbi 190 të tjerëve, disa prej të cilëve ndodhen ende në gjendje të rëndë shëndetësore.