Begaj vizitë në Austri, diskutime me homologun Van der Bellen për bashkëpunimin mes vendeve


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nisi vizitën zyrtare në Austri me një pritje të lartë shtetërore nga Presidenti Alexander Van der Bellen. Pas takimeve dypalëshe, dy liderët mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp, ku theksuan partneritetin strategjik dhe mbështetjen e Austrisë për rrugën evropiane të Shqipërisë.

Në fjalën e tij, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë në fusha të rëndësishme si ekonomia, arsimi, turizmi dhe reforma në drejtësi.

Ai ritheksoi se Shqipëria është optimiste për hapjen e të gjithë kapitujve të integrimit brenda vitit, me synimin për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030.

Marrëdhëniet tona forcohen dita-ditës. Shqipëria dhe Austria ndajnë të njëjtat vlera euroatlantike dhe ne do të punojmë së bashku për një Ballkan Perëndimor të sigurt dhe të integruar në BE,” – deklaroi Begaj.

Një pikë kyçe e bisedimeve ishte inisiativa austriake “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, e cila synon të forcojë përfshirjen e BE-së në rajon dhe të reduktojë rreziqet nga ndikimet e jashtme. Presidenti Begaj gjithashtu e konsideroi samitin e Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Tiranë më 16 maj, si një zhvillim pozitiv për Shqipërinë.

Gjatë takimit, u diskutua edhe çështja e Kosovës, ku Presidenti Begaj vlerësoi rolin e Austrisë në mbështetjen e pavarësisë dhe fuqizimin e shtetit të ri në arenën ndërkombëtare.