Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur shqetësimin për buxhetin e ulët të shëndetësisë në Shqipëri, duke e cilësuar këtë si një emergjencë kombëtare. Ai ka theksuar se PD ka në plan dyfishimin e buxhetit për shëndetësinë dhe garantimin e ilaçeve me cilësi të barabartë me ato të vendeve të BE-së.
Berisha ka vënë në dukje se numri i shtretërve dhe i mjekëve për frymë në Shqipëri është shumë më i ulët krahasuar me vendet evropiane.
Në kuadër të modernizimit të sistemit, Berisha ka theksuar rëndësinë e një karteleje dixhitale, e cila do të jetë themeli i reformës së PD-së për shëndetësinë.
“Buxheti për shëndetësinë është tepër i ulët. PD e konsideron emergjencë programin për kujdesin shëndetësor. PD do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë. Partia Demokratike do të garantojë ilaçe të cilësisë, që përdorin vendet e BE-së.
Partia Demokratike konstaton se numri i shtretërve për frymë sot është dy herë më i ulët se në vendet e BE, numri i mjekëve për frymë është ulur tejet mase.
Në këtë kontekst, hapja e një fakulteti të dytë mjekësie, ndërtimi i spitaleve të reja do të jenë objektiva imediate të PD-së.
Do dyfishojmë rrogat e mjekëve dhe infermierëve në Shqipëri. Vetëm kështu mjekët e infermierët do qëndrojnë në vend.
Qeveria do ruajë marrëdhënie vetëm me sektorin privat jo-profit. Sektori tjetër do vazhdojë, por nuk do përfitojë nga prokurimet në procesin shëndetësor.
Kartela dixhitale do jetë në themel të reformës që do të marrim.”