Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Edi Rama, i cili tha se nuk drejton Bashkinë e Tiranës që pas dorëheqjes së tij si kryetar bashkie. Berisha e ka cilësuar këtë deklaratë si të pavërtetë, duke akuzuar Ramën për ndërhyrje të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e bashkisë.
Sipas Berishës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, shkarkoi Anuela Ristanin dhe emëroi një tjetër zonjë në vend të saj, por kjo e fundit u thirr, u kërcënua dhe më pas u largua nga puna me urdhër të Ramës.
Berisha shtoi gjithashtu se kryeministri po lavdëron kreun e SPAK, Altin Dumanin, por sipas tij, “po të mos ishte Dumani, Rama do të ishte aty ku e meriton.”
“Që Edi Rama drejton Bashkinë e Tiranës kjo është e faktuar. Anuela Ristani u shkarkua nga kryetari në qeli, Erion Veliaj.
U emërua një zonjë tjetër, e cila u thirr dhe u kërcënua nga Rama.
Ajo u dëbua nga puna, sepse Erion Veliaj i delegoi firmën, si njeriu që duhet të kryente punën në vend të tij.
Rama ka ndërhyrë në mënyrë brutale në emërimet dhe shkarkimet në Bashkinë e Tiranës. Ligji e ndalon çdo akt të pushtetit qendror në pushtetin vendor.
Pushteti qendror mund t’i adresohet gjykatës për ndonjë punë që ndoshta vihet re nuk bëhet mirë në pushtetin lokal, por rruga është nga gjykata.
Rama lavdëron Altin Dumanin, se po mos ishte Dumani, Rama do ishte aty ku e meriton.”
Kryeministri Edi Rama pak me heret i është përgjigjur një komentuesje që i shkruante se ka punë edhe në Bashkinë e Tiranës, duke iu referuar vizitave të tij pas arrestimit të Erion Veliajt. Kreu i qeverisë u shpreh se punët në Bashkinë e Tiranë i ka mbyllur në vitin 2011.
Rama: Unë punët në bashki i kam mbyllur në 2011, nuk jam kryetar i bashkisë së Tiranës.