Presidenti turk Erdogan tha të hënën se protestat për burgosjen e kryebashkiakut të Stambollit ishin kthyer në një “lëvizje dhune” dhe se partia kryesore opozitare do mbahet përgjegjëse për oficerët e policisë të plagosur dhe dëmtimet e pronës.
Arrestimi i kryebashkiakut Ekrem Imamoglu të mërkurën e kaluar, ka shkaktuar protestat më të mëdha në rrugë në Turqi në më shumë se një dekadë. Të dielën, një gjykatë e burgosi atë, në pritje të gjyqit, me akuza për korrupsion që ai i mohon.
Partia Republikane (CHP) e opozitës së Imamoglu dhe mbështetësit e saj thonë se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht, të cilat qeveria e Erdoganit i mohon.
Megjithë ndalimin e vendosur për tubimet në rrugë në shumë qytete, demonstratat kryesisht paqësore antiqeveritare vijuan për të gjashtën natë radhazi të hënën, me qindra mijëra që morën pjesë ndërsa kreu i CHP-së Ozgur Ozel përsëriti thirrjen për vijimin e protestave mbarëkombëtare.
Duke folur pas një takimi të kabinetit në Ankara, Erdogan tha se CHP duhet të ndalojë “provokimin” e qytetarëve.
“Vendi ndoqi me habi protestat pas thirrjes së kreut të opozitës për të dalë në rrugë pas një operacioni kundër korrupsionit në Stamboll, tashmë të kthyera në një lëvizje dhune,” tha presidenti 71-vjeçar.
“Opozita është përgjegjëse për policët tanë të plagosur, xhamat e thyer të dyqanxhinjve tanë dhe pronën publike të dëmtuar. Ata do mbajnë përgjegjësi për të gjitha këto, politikisht në parlament dhe ligjërisht nga drejtësia.”
Më herët, ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya akuzoi disa protestues se po terrorizojnë rrugët dhe kërcënojnë sigurinë kombëtare. Ai tha se 1,133 persona ishin arrestuar gjatë pesë ditëve të protestave dhe se 123 policë ishin plagosur.
Një delegacion i CHP-së u takua me guvernatorin e Stambollit për të diskutuar mbi goditjen e policisë ndaj protestuesve. Kreu i partisë në Stamboll, Ozgur Celik tha se ndërhyrja e policisë të dielën mbrëma kishte qenë më e dhunshmja deri tani, me shumë njerëz të shtruar në spital.
Duke iu drejtuar sërish qindra mijëra njerëzve përpara selisë së bashkisë së Stambollit në Sarachane, kreu i CHP-së Ozel përsëriti një thirrje për të braktisur mediat, markat dhe dyqanet që ai i quajti pro Erdoganit, duke shtuar se të gjitha akuzat kundër Imamoglu ishin të pabaza dhe pa prova, shkruan Reuters.
Ozel shtoi se partia e tij do kërkojë gjithashtu që Imamoglu të lirohet në pritje të gjyqit dhe që gjyqi i tij të transmetohet në median shtetërore TRT. Ai sfidoi Erdoganin në një debat televiziv, ndërsa u bëri thirrje protestuesve të ruajnë rendin publik dhe të shmangin përplasjet.
Përpara fjalimit të Ozelit, në Urën historike të Galatas në Stamboll, një protestë bllokoi trafikun në dy anët e urës, ndërsa të tjerët u mblodhën gjetkë në qytetet kryesore të vendi.
Pak çaste pasi Ozel mbaroi fjalimin e tij, policia hodhi fishekë dhe gaz lotsjellës dhe përdori topa uji për të shpërndarë demonstruesit në Stamboll, ndërsa arrestoi disa persona.