Kompania koreanojugore Hyundai dhe Presidenti Donald Trump njoftuan të hënën një investim prej 20 miliardë dollarësh në SHBA, që përfshin një fabrikë çeliku prej 5 miliardë dollarësh në Luiziana.
Fabrika prej 5.8 miliardë dollarësh në Luiziana do jetë objekti i parë i prodhimit të çelikut të prodhuesve të makinave në SHBA dhe do prodhojë më shumë se 2.7 milionë metër kub në vit dhe do çelë më shumë se 1400 vende pune. Ajo do furnizojë me çelik fabrikat e automobilave në Alabama dhe Xhorxhia, tha Trump në një fjalim në Shtëpinë e Bardhë.
Njoftimi këtë pasdite në Shtëpinë e Bardhë përfshinte Trump, kreun e Hyundai Euisun Chung dhe guvernatorin e Luizianës, Jeff Landry.
Chung tha se ishte investimi më i madh amerikan i kompanisë ndonjëherë.
“Më shumë investime, më shumë vende pune dhe më shumë para në xhepat e amerikanëve punëtorë, të gjitha falë politikave ekonomike të presidentit Trump”, shkroi në mediat sociale sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
CNBC raportoi fillimisht njoftimin. Hyundai nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së CNN për koment.
“Ky investim është një tregues i qartë se tarifat funksionojnë shumë fuqishëm”, tha Trump të hënën pasdite.
Chung tha se vendimi për të hapur fabrikën në zonën e Savannah, Xhorxhia “nisi gjatë takimit tim me presidentin Trump në Seul në vitin 2019”. Ky projekt “përkon me fillimin e mandatit të dytë të Presidentit Trump, duke e bërë këtë çast edhe më të veçantë”.