Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, dhe legjenda e futbollit francez, Michel Platini, janë shpallur të pafajshëm për akuzat e korrupsionit në lidhje me dyshimet për mashtrim në organin më të lartë të futbollit botëror, përcjell BBC.
Një gjykatë apelimi në Muttenz, afër Bazelit në Zvicër, vendosi të martën që nuk ka prova për shkelje ligjore nga ana e tyre lidhur me një pagesë prej 2 milionë frangash zvicerane (rreth 1.6 milionë paund) që Blatter i bëri Platinisë në vitin 2011. Të dy kanë mohuar vazhdimisht çdo akuzë për keqbërje.
Fillimisht, ata u shpallën të pafajshëm në vitin 2022, por prokurorët federalë zviceranë apeluan vendimin.
Çështja lidhet me një skandal të madh që shpërtheu në FIFA në vitin 2015, kur organizata u përfshi nga akuza për korrupsion dhe mashtrim, duke kulmuar me një bastisje dramatike në Zyrih si pjesë e një hetimi të veçantë amerikan.
Prokurorët zviceranë akuzuan Blatterin, tani 89 vjeç, dhe Platininë, 69 vjeç, për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh, duke argumentuar se pagesa ndaj Platinisë nuk kishte bazë ligjore. Megjithatë, të dy pohuan se kjo ishte një pagesë e vonuar për punën konsulente që Platini kishte kryer për FIFA-n.
Gjatë dëshmisë në gjyqin e parë, Blatter shpjegoi se në vitin 1998 i kishte kërkuar Platinisë të punonte si këshilltar i tij, por FIFA nuk kishte mundësi të paguante tarifën prej 1 milion frangash në vit që kërkonte Platini. Për këtë arsye, u ra dakord për një pagesë më të ulët, me premtimin se diferenca do të paguhej më vonë.
Gjykata federale në Bellinzona e shpalli të vlefshëm këtë “marrëveshje xhentëlmenësh” dhe i liroi nga akuzat. Pas apelit të prokurorëve, u zhvillua një seancë e re, e cila sërish konfirmoi pafajësinë e tyre.
Pas vendimit, Blatter tha: “Më në fund, drejtësia u vendos. Kjo është një ditë e madhe për mua, familjen time dhe miqtë e mi. Jam shumë i emocionuar.”
Ndërkohë, Platini deklaroi: “Përndjekja ime ka përfunduar plotësisht. Sot, nderi im është rikthyer dhe jam shumë i lumtur.” Avokati i tij njoftoi se do të ndërmarrin veprime ligjore kundër atyre që e nisën këtë proces gjyqësor.
Michel Platini është një nga figurat më të mëdha të futbollit evropian, fitues i trefishtë i Topit të Artë. Ai udhëhoqi Francën drejt fitores në Kampionatin Evropian të vitit 1984 dhe fitoi Kupën e Evropës me Juventusin në 1985. Më pas, drejtoi kombëtaren franceze dhe shërbeu si president i UEFA-s nga viti 2007 deri në 2015.
Sepp Blatter, me origjinë zvicerane, u bashkua me FIFA-n në 1975 dhe u ngjit në hierarki duke u bërë sekretar i përgjithshëm në 1981 dhe president në 1998.