Izraeli po eliminon një e nga një krerët e Hamasit duke goditur rëndë aftësinë e grupit


Kur Izraeli njoftoi se kishte vrarë kryeministrin de facto të Hamasit, Ismail Barhoum, ishte një surprizë për shumë njerëz në Gaza, të cilët as nuk e kuptuan se atij iu dha kjo detyrë. Pesë ditë më parë një sulm ajror izraelit kishte vrarë paraardhësin e tij.

Vrasjet e shënjestruara janë pjesë e një vale sulmesh që forcat izraelite të sigurisë kanë kryer kundër operativëve të lartë politikë të Hamasit – sulme që synojnë të gjymtojnë aftësinë e grupit militant për të qeverisur dhe kanë nxjerrë në pah gjithashtu grumbullimin e inteligjencës izraelite në enklavë.

Izraeli ka vrarë të paktën katër figura të tjera të larta politike në një javë sulmesh, duke përfshirë zëvendësministrat e Drejtësisë dhe të Brendshëm, si dhe kreun e agjencisë së sigurisë së brendshme të Hamasit. Ai gjithashtu ka vënë në shënjestër një numër zyrtarësh të lartë dhe të mesëm ushtarak.

Ish-oficerët e inteligjencës izraelite thanë se vrasjet e drejtuesve të Hamasit ndihmojnë në prishjen e sundimit të grupit mbi enklavën, duke i detyruar ata që mbeten të kenë përparësi mbijetesën e tyre në vend të kryerjes së detyrave të ngarkuara. Ata gjithashtu godasin perceptimet mbi aftësinë e Hamasit për të qëndruar në kontroll të asaj që ndodh.

“Unë mendoj se ngre pyetje në lidhje me aftësinë e Hamasit jo vetëm për të mbrojtur veten si një aktor politik, ushtarak, por edhe popullatën më gjerë,” tha Sanam Vakil, një analist i Lindjes së Mesme në qendrën e mendimit Chatham House në Britani.

“Që Izraeli po ripushton dhe po shtyn për një përfundim tjetër, tregon vërtet cenueshmërinë e Hamasit.”

Sulmi i së dielës mbrëma që vrau Barhum-in e kishte në shënjestër atë në “Kompleksin Mjekësor Nasser” në Khan Younis, ku Hamasi tha se ai po merrte trajtim. Zëdhënësi ushtarak izraelit Nadav Shoshani e hodhi poshtë këtë dhe tha se Barhoum ishte fshehur në qendrën mjekësore për javë të tëra, kohë gjatë së cilës ai zhvilloi takime me udhëheqës të tjerë të lartë të Hamasit.

Një pacient 16-vjeçar u vra gjithashtu gjatë sulmit, i cili shkaktoi një zjarr dhe plagosi disa pacientë dhe jekë e infermierë, thanë autoritetet shëndetësore palestineze.

Hamasi e quajti Barhum-in anëtar të byrosë politike të  Hamasit. Izraeli tha se ai ishte kreu i financave të Hamasit në Gaza përpara se të merrte rolin e tij të fundit.

Izraeli i dha fund një armëpushimi dymujor javën e kaluar me një valë sulmesh ajrore të ndjekura nga sulme tokësore që synonin t’i bënin presion Hamasit për të dorëzuar dhjetëra pengje që besohet se janë gjallë në Rripin e Gazës. Sulmet kanë vrarë më shumë se 600 njerëz, duke e çuar numrin e të vdekurve në luftën 17-mujore në më shumë se 50,000, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, të cilët nuk thonë se sa mes tyre ishin luftëtarë.

Hamasi ndezi luftën me sulmet e tij të 7 tetorit 2023, që lanë rreth 1200 të vdekur dhe afërsisht 250 pengje në Gaza.

Izraeli përdori armëpushimin për të gjurmuar krerët e Hamasit dhe për të rifreskuar listat e tij të objektivave, thanë ish-zyrtarët e inteligjencës izraelite. Ilan Lotan, një ish-oficer i lartë në agjencinë e brendshme të inteligjencës izraelite, Shin Bet, tha se disa nga udhëheqësit e Hamasit hoqën rojet gjatë armëpushimit dhe lëvizën lirisht në publik.

Grupi organizoi gjithashtu spektakle publike të hollësishme kur dorëzonte pengjet që u shkëmbyen me të burgosur palestinezë gjatë armëpushimit, duke ofruar një mundësi tjetër për të mbledhur inteligjencë, thanë analistët.

Kombinuar me inteligjencën nga marrja në pyetje e militantëve të ndaluar dhe spiunimin elektronik, inteligjenca izraelite tani është në një listë të plotësuar objektivash për t’u eliminuar, ndërsa përpiqet të thyejë vullnetin e organizatës për të luftuar dhe mbajtur pengjet izraelite.

“Ishte më e lehtë për Izraelin që t’i ndiqte pas rinovimit të luftimeve,” tha Lotan.

Një zyrtar i Hamasit akuzoi Izraelin për shfrytëzimin e armëpushimit për të mbledhur informacione rreth zyrtarëve dhe udhëheqësve të grupit.

Izraeli është mbështetur prej kohësh në eliminimin e objektivave të qartë për të dobësuar armiqtë e tij. Ai zhduku pjesën më të madhe të udhëheqjes ushtarake të Hamasit gjatë luftës dhe vrau shumicën e drejtuesve më të lartë të milicisë libaneze Hezbollah vjeshtën e kaluar, duke e detyruar atë në një armëpushim që në thelb i dha fund më shumë se një viti të sulmeve me raketa ndërkufitare.

Megjithatë, dobia e tyre është debatuar në qarqet e sigurisë izraelite. Kritikët thonë se udhëheqësit që vriten shpesh zëvendësohen shpejt, ndonjëherë nga njerëz më të talentuar se paraardhësit e tyre. Çelësi, thanë ish-zyrtarët e inteligjencës, është se vrasjet ndodhin me shpejtësi, njëra pas tjetrës, kështu që zyrtarët nuk mund të ndihen rehat në rolet e tyre të reja, duke ndërprerë zinxhirin komandues.

Udhëheqësi i Hamasit në Gaza, Muhamed Sinwar, vëllai më i vogël i ish-udhëheqësit Yahya Sinwar, i cili u vra nga Izraeli në tetor, ka luftuar për të mbajtur kontrollin e Gazës dhe deri tani ka shpëtuar, sepse qëndron vazhdimisht i fshehur dhe komunikon shumë rrallë, thanë zyrtarë të inteligjencës arabe.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e WSJ

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani