Kryeministri Rama ka përsëritur refrenin duke u kërkuar shqiptarëve që të votojnë PS-në në zgjedhjet e 11 majit, në mënyrë që vendi të integrohet në BE.
Në rubrikën e përjavshme me ndjekësit në Facebook, kreu i qeverisë tha se forca politike që drejton ka mundësua drejtësinë e pavarur në vend.
“Ne socialistët e progresistët jemi shumë krenarë që bëmë të pamendueshmen, dorëzimin e shpatës së drejtësisë në duart e drejtësisë nga duart e pushtetit politik. Sot ka dhe lëvizje të paimagjinueshme të drejtësisë, në hetimin dhe ndëshkimin e personave të lidhur me pushtetin politik. Ky është moment historik por që të garantojmë barazinë para ligjit nuk mund të jetë në dorë të një partie politike e një lidershipi, pasi nesër vjen dikush tjetër dhe e kthen përmbys, prandaj duhet BE, hyrja në BE e bën të pamundur kthimin e rrotës së historisë dhe rikthimin e shpatës së drejtësisë në zyrën e të parit të qeverisë. Këtë po bën PS-ja.Të gjithë ata si njerëz të degraduar e dëshpëruar që rrinë e përsërisin cdo ditë, burgu, burgu kush e ka radhën, u futën të gjithë në burg, etj duhet ta marrin përgjigjen më 11 maj, sepse ata nuk kanë asnjë rol. Janë penguesit e armiqtë e reformës në drejtësi.” – tha Rama.
Më tej kryeministri tha se më 11 maj secili do marrë atë që meriton ndërsa theksoi se vota për PS-në në zgjedhje do mundësojë çeljen e negociatave dhe futjen e vendit në familjen evropiane.
“Kështu që diskutimi a ia vlen është kot, i pabazuar ndërsa krijimi i vetëdijes që me 11 Maj duhet të krijojmë një bllok kompakt përtej të majtës dhe të djathtës apo ndasive partiake, apo tifozllëkut dhe rendjes pas faneleve të partisë është domosdoshmëri. Duhet ta krijojmë këtë vetëdije së bashku. PS në numrin 5 është vendi për të hedhur votën, jo për t’u bërë të gjithë socialist, por për të kompaktësuar mesazhin për BE dhe mbështetur fuqishëm negociatat, duke krijuar kushtet që edhe më 12 maj, kur tëe jemi duke numëruar votat dhe të tjerët të jenë duke u marrë me zgjedhjet ata 1 mijë vajza dhe djem të vazhdojnë të punojnë pa lëkundje që vjen nga impakti i votës. Në një farë mënyre, PS-ja gjendet në vendin dhe kohën e duhur si pika e referimit siç gjendej PD në ’91-92.”, u shpreh Rama.