Nga: Xhensila Dautllari
Për kë të votojmë?
Pyetje të tillë e dëgjoj lart e poshtë, në shtëpi, në rrugë, në autobus, në video që shoh në celular, në komente poshtë postimeve të fushatave politike. Përgjigjja në të shumtën e rasteve vjen bashkëlidhur me pyetjen, e parashtrohet e tillë: Nuk do të votojmë fare, se s’kemi për kë të votojmë.
Teorikisht një mendësi e tillë është e gabuar nga koka te këmbët, sepse si mundet një qytetar votues t’i shmanget fillimisht së drejtës e detyrimit që ka ndaj vetes, më tej detyrimit që ka kundrejt shoqërisë, e së fundi përgjegjësisë morale, për të votuar për udhëheqës? Kjo në mënyrë të menjëhershme e kufizon më vonë të drejtën e këtij qytetari për t’u ankuar për qeverinë që nuk e zgjodhi vetë.
Praktikisht, kjo mënyrë e të menduarit nuk është tërësisht e pabazë. Teksa kërkon të informohesh rreth partive kandidate për zgjedhje e programeve politike me të cilat këto parti supozohet të kandidojnë, ti përballesh me një lëmsh të madh propagande, marketing pa kurrëfarë informacioni në thelb, rritje në piedestal të kultit të individit, a thua se kemi të bëjmë me perandorë; e ky lëmsh të bën të heqësh dorë nga dëshira për t’u informuar rreth këtyre partive e për të votuar në 11 maj për njërën prej tyre.
Fillimisht, përballesh me politizim partiak nga koka te këmbët të kauzave shoqërore, që nga ngritja e një proteste e deri te mesazhet tërësisht të devijuara që tentohet të përçohen te publiku përmes këtij mekanizmi. E kjo bëhet aq qesharake, sa nuk dihet më për çfarë u mblodhëm e për çfarë po protestojmë.
Më tej, përballesh me fushatat e bajatosura të partive të vjetra, që ndonëse synojnë një “rebrand” të vetvetes, nuk ngurrojnë të shfaqen me po të njëjtat premtime, të njëjtat pretendime, të njëjtat sulme ndaj njëra-tjetrës (reklama të goditura aq bukur nga ekipi i tyre i PR), e të njëjtin shabllon mesazhesh të tilla si: “Ky ka vjedhur, unë s’do të vjedh, ose të paktën do të vjedh më pak.”
E kur përpiqesh të mendosh për ndofarë risie në këto grupe politikanësh të mësuar tashmë për syrin, sulmet e tyre “kundër” njëri-tjetrit bëhen aq qesharake sa kthehen në meme të gjalla, i shërbejnë popullit për gallatë nja dy-tri ditë dhe e shpërqëndrojnë nga vullneti për t’u informuar me të vërtetë. Strategji e bukur për fushata që iu shmangen përgjegjësive, por edhe po ta mendojmë pak më shumë, do të kujtojmë se as t’u kthyerit në meme nuk është risi për politikanët tanë.
Teksa kërkon të gjesh ngushëllim te partitë e reja ndërkohë, sepse tek e fundit të rinjtë duhet ta bëjnë këtë vend, përballesh me njerëz që nuk e shohin veten si lakmitarë për pushtet, e në të njëjtën kohë zihen si macja me miun për një rradhë fjale në ato lloje protestash që i lartpërmendëm. Kritikojnë nga koka te këmbët të vjetrit, por në njëfarë mënyre veprojnë shumë ngjashëm me ta.
Përgjigjja e pyetjes “Për kë të votojmë?” nuk duhet të jetë asnjëherë “Nuk do të votojmë fare.” Megjithatë, të shpresojmë se deri në 11 maj do ta gjejmë!