Kryeministri Edi Rama ka ironizuar partitë e reja, duke theksuar se listat e tyre përmbajnë individë problematikë dhe nuk përfaqësojnë asgjë të re.
Sipas tij, shumë prej tyre ishin më parë të përfshira në diskutimet për dekriminalizimin dhe tani funksionojnë si grupe familjare, ku përfshihen të afërm dhe kushërinj. Ai thekson se mes tyre ka persona me probleme, të cilët më herët janë larguar edhe nga radhët e Partisë Socialiste.
Rama e paraqiti PS-në si një forcë politike që kombinon energjinë e të rinjve me përvojën e gjatë, duke e quajtur atë njëkohësisht partinë më të vjetër dhe më të re në skenën politike. Ai nënvizoi se zgjedhjet e 11 majit nuk paraqesin rrezik për Partinë Socialiste, pasi opozita nuk ka asnjë mundësi për fitore.
“Kjo është e vetmja parti, më e reja dhe më e vjetra. Ka pasionin e të rinjve, ka prurje të re nga komunitetet, por ka edhe eksperiencën. Ne nuk mundemi dot, por në këtë rast beteja më 11 maj nuk është se mos vijnë na mundin, se nuk na mundin dot”, u shpreh ai.
Duke ironizuar deklaratat e kundërshtarëve politikë mbi rezultatin e zgjedhjeve, Rama vuri në dukje se ata vazhdojnë të ushqejnë iluzione të kota për fitore. Ai e cilësoi të rëndësishme që zgjedhjet e 11 majit të japin një mesazh të fortë për Europën, duke treguar stabilitetin dhe drejtimin që Shqipëria ka marrë.