Rusia e gatshme për një marrëveshje të re në Detin e Zi, por kërkon që SHBA ta “urdhërojë” Zelensky-n ta respektojë


Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka deklaruar se Moska është e gatshme të arrijë një marrëveshje të re për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, por vetëm nëse Shtetet e Bashkuara urdhërojnë Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, që ta respektojë atë.

Lavrov i bëri këto komente gjatë një interviste televizive, duke nënvizuar se Rusia ka nevojë për “garanci të qarta” dhe se përvoja e mëparshme me marrëveshje të nënshkruara vetëm me Kievin ka qenë e pafavorshme, përcjell The Guardian.

“Duke pasur parasysh përvojën e hidhur të marrëveshjeve vetëm me Kievin, garancitë mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelensky-n dhe ekipin e tij që të bëjnë një gjë dhe jo një tjetër,” tha Lavrov.

Komentet e tij sugjerojnë se Moska do të kërkojë një presion më të madh nga SHBA mbi Kievin përpara se të pranojë një armëpushim detar, një hap që Uashingtoni e sheh si një mundësi për një armëpushim më të gjerë në konfliktin Rusi-Ukrainë.

Marrëveshja e mëparshme për sigurinë e lundrimit në Detin e Zi u rrëzua në vitin 2023, me secilën palë që fajësonte tjetrën për dështimin e saj, pasi Rusia dërgoi trupa në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.