SHBA thotë se Rusia dhe Ukraina ranë dakord për t’i ndalur sulmet në Detin e Zi


Shtetet e Bashkuara njoftuan të martën se kanë arritur marrëveshje të ndara me Ukrainën dhe Rusinë për të garantuar sigurinë e lundrimit në Detin e Zi dhe për të ndaluar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të njëra-tjetrës.

Këto marrëveshje, nëse zbatohen, do të përfaqësonin përparimin më të qartë deri më tani drejt një armëpushimi të gjerë, të cilin Uashingtoni e sheh si një hap kyç për negociatat e paqes që synojnë përfundimin e luftës trevjeçare në Ukrainë.

Megjithatë, Rusia ka shprehur skepticizëm mbi angazhimin e Ukrainës dhe ka deklaruar se mund të nënshkruajë një marrëveshje vetëm nëse Shtetet e Bashkuara i “urdhërojnë” Presidentin Volodymyr Zelensky që ta respektojë atë.

“Ne kemi nevojë për garanci të qarta. Duke pasur parasysh përvojën e mëparshme të marrëveshjeve vetëm me Kievin, këto garanci mund të jenë vetëm rezultat i një urdhri nga Uashingtoni për Zelensky-n dhe ekipin e tij,” deklaroi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në një intervistë televizive, përcjell Reuters.

Nuk është e qartë nëse kjo kërkesë e Moskës do të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes. Zelensky ka deklaruar më parë se Presidenti rus Vladimir Putin nuk është i besueshëm sa i përket negociatave për paqen.
Ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Rustem Umerov, konfirmoi se Kievi kishte pranuar një armëpushim detar dhe një ndalim të përkohshëm të sulmeve mbi infrastrukturën energjetike mes dy vendeve.

Megjithatë, ai theksoi se Ukraina nuk do të lejojë lëvizjen e anijeve ushtarake ruse jashtë pjesës lindore të Detit të Zi dhe e konsideron këtë si një kërcënim të drejtpërdrejtë.

“Në këtë rast, Ukraina do të ketë të drejtën e plotë të vetëmbrojtjes,” tha Umerov.

Përpjekjet e administratës Trump për përfundimin e luftës
Presidenti amerikan Donald Trump, i cili ka premtuar një fund të shpejtë të luftës, fillimisht kishte propozuar një armëpushim të plotë 30-ditor, me të cilin Ukraina ra dakord në parim më 11 mars.

Megjithatë, pas takimeve të ndara në Arabinë Saudite mes përfaqësuesve të SHBA-së, Rusisë dhe Ukrainës, negociatat u fokusuan në një armëpushim të pjesshëm, pasi Moska paraqiti një listë të gjatë kushtesh dhe kërkesash.

Trump po ushtron presion mbi të dyja palët për ta mbyllur luftën sa më shpejt, duke synuar një përmirësim të shpejtë të marrëdhënieve me Moskën.

Ndërkohë, aleatët evropianë të Ukrainës druhen se një marrëveshje e shpejtë mes Trump dhe Putinit mund të rrezikojë sigurinë e tyre, veçanërisht nëse Kievi detyrohet të heqë dorë nga ambiciet për anëtarësim në NATO dhe nga katër rajone të cilat Rusia i konsideron si territor të saj.

Ukraina ka refuzuar çdo marrëveshje që do të përkthehej në dorëzim para kërkesave të Moskës.