“S’mund ta lëmë Iranin të ketë armë bërthamore” – Kryediplomatja e BE-së vizitë në Izrael


Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Kaja Kallas tha se parandalimi i Iranit nga sigurimi i armëve bërthamore mbetet qëllimi kryesor i BE-së në rajon, duke paralajmëruar rolin destabilizues të Teheranit në Lindjen e Mesme dhe mbështetjen e tij për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Duke folur gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Izrael, Kallas i tha Ynetnews të hënën se blloku sheh një “dritare mundësie” për të ulur kërcënimin e paraqitur nga Irani, të cilin ajo e përshkroi si më të dobët se sa kishte qenë në të kaluarën.

“Objektivi ynë kryesor është që Irani të mos ketë armë bërthamore”, tha ajo.

“Ne e shohim qartë se çfarë po bëjnë, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në ndihmën ndaj Rusisë dhe kryerjen e sulmeve hibride kundër vendeve evropiane. Politikat tona duhet të jenë më të forta.”

Diplomatja estoneze, e cili shërben gjithashtu si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, pranoi se përpjekjet për të përcaktuar zyrtarisht Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit si një organizatë terroriste mbeten në vendnumëro për shkak të mungesës së konsensusit midis shteteve anëtare.

“Diskutimet janë në vijim”, tha ajo, “por vendimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë të BE-së kërkojnë njëzëshmëri”.

Udhëtimi i Kallas shënon vizitën e parë në Izrael nga një ministër i jashtëm i BE-së në më shumë se një vit, pas një periudhe marrëdhëniesh të tensionuara. Paraardhësi i saj, Josep Borrell, u ndalua të hynte në vend pas kritikave të ashpra ndaj veprimeve të Izraelit gjatë luftës në Gaza.

Gjatë vizitës së saj, Kallas u takua me Presidentin Isaac Herzog, Ministrin e Jashtëm Gideon Saar dhe kreun e opozitës Yair Lapid. Ajo u takua gjithashtu me familjet e pengjeve të mbajtura në Gaza dhe vizitoi memorialin e Holokaustit Yad Vashem, ku vendosi një kurorë me lule në Sallën e Përkujtimit.