Qeveria ka kanalizuar drejt ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve rreth 349 milionë lekë apo 3.5 milionë euro në formën e subvencioneve.
Enti Rregullator i Ujit publikoi në raportin vjetor të sektorit se kjo mbështetje shkoi për 14 ndërmarrje të mëdha që vijnë si produkt i reformës së agregimit dhe për dy të tjera ekzistuese që nuk kanë hyrë në këtë reformë si Tirana dhe Vora.
“Për vitin 2024, qeveria qendrore ka shpërndarë subvencione në vlerën e 349 milionë lekëve, për të gjitha shoqëritë UK rajonale, 14 të krijuara deri më tani, si dhe për dy shoqëri UK ekzistuese si: UK Tiranë dhe UK Vorë.
Shpërndarja e subvencioneve për vitin 2024 është realizuar referuar udhëzimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nr.2, datë 26.03.2024 “Për Miratimin e Metodologjisë për Kriteret dhe Procedurat për Shpërndarjen dhe Përdorimin e Subvencioneve Shtetërore për Ofruesit e Shërbimeve në Sektorin e UK për vitin buxhetor 2024” citon ERRU. Ky udhëtim orienton zërat se ku do të shkojnë paratë që vijnë në formë subvencionesh.
Konkretisht në pikën 6 (a) citohet se shoqëritë rajonale ose jo e përdorin fondin e subvencionit për të akorduar çdo muaj, përmes një zbritjeje 100% në shërbimin e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve të kategorive të përcaktuara në pikën 3 të kësaj metodologjie, kategoritë në nevojë që përfitojnë nga kompensimi për konsumin e sasisë minimale jetike të ujit të pijshëm, deri në masën 5m3 /muaj.
“Vlera e përfituar për shtresat në nevojë që është zbatuar për 14 shoqëritë UK rajonale dhe për dy shoqëritë: UK Tiranë dhe UK Vorë është vetëm 30 milionë lekë” nënvizon raporti.
Ndërkohë në pikën 6 (b), të po këtij vendimi, citohet se pjesa e mbetur e fondit të subvencionit do të përdoret për shlyerjen e detyrimeve të energjisë elektrike për shoqëritë që e kanë mbi 75% të prodhimit me ngritje mekanike, kriter i cili është zbatuar për të subvencionuar shoqëritë: UKR Durrës, Elbasan, Fier, Berat, Shkodër dhe Vlorë.
“Referuar vlerës totale të subvencioneve për vitin 2024 rezulton se 91.2% janë shpërndarë për kostot e energjisë elektrike dhe vetëm 8.8% janë shpërndarë për shtresat në nevojë” thuhet në raportin e ERRU. / N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor