Marka Visa thelloi kryesimin në tregun e kartave të pagesave në Shqipëri për vitin e kaluar. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të vitit 2024, bankat tregtare shqiptare kishin mbi 781 mijë karta aktive të lëshuara me markën e Visa, shifër kjo në rritje me 7.1% krahasuar me një vit më parë.
Visa e ka rritur pjesën e saj të tregut të 51.7% të numrit total të kartave aktive në Shqipëri, nga 50.9% që mbante në fund të vitit 2023. Gjigandi tjetër global i pagesave, Mastercard renditet i dyti, me rreth 729 mijë karta aktive.
Numri i kartave Mastercard është rritur, me 4.6% më shumë krahasuar vitin 2021. Kartat e lëshuara në emër të Mastercard përbënin 48.3% të numrit total të artave aktive, në rritje nga niveli prej 49.1% që zinin një vit më parë. Visa dhe Mastercard zotërojnë plotësisht tregun e kartave pagesave në Shqipëri, duke filluar që nga viti 2023.
Në vitet e mëparshme, një pjesë modeste tregu e zotëronte American Express, si edhe kartat lokale të lëshuara nga institucionet shqiptare të pagesave. Por, qysh në vitin 2023 American Express doli nga tregu, pas shkrirjes së Alpha Banka Albania, banka e fundit tregtare në Shqipëri që lëshonte ende karta të kësaj kompanie.
Në dhjetor të vitit 2022, Alpha Banka Albania u bashkua ligjërisht me Bankën OTP Albania. Edhe kartat lokale, që gjithsesi kishin qenë në shifra të papërfillshme, tashmë kanë dalë plotësisht nga tregu.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i kartave bankare aktive të lëshuara nga sektori financiar shqiptar arriti në 1.51 milionë, në rritje me 5.6% krahasuar me një vit më parë.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.32 milionë, në rritje vjetore me 6.7%. Ky produkt ngelet dominues dhe përbën pothuajse 88% të numrit të përgjithshëm të kartave bankare. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve.
Ndërkohë, viti 2024 dhe tremujori i fundit solli rënie në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të vitit të kaluar, sektori bankar raportonte pak më shumë se 113 mijë karta krediti aktive, me një rënie vjetore prej 5.3%.
Gjatë vitit 2024, pagesat me kartë në terminalet POS (pikat elektronike të shitjes) arritën në pothuajse 19.6 milionë, me një rritje prej 35% krahasuar me një vit më parë. Në vlerë transaksionesh, pagesat me kartë vitin e kaluar arritën në 64.1 miliardë lekë, 30% më shumë krahasuar me vitin 2023.
Për vitin 2024, volumi i pagesave në terminale POS përbënte 16% të vlerës totale të veprimeve me karta, nga 14.5% që kishte qenë pesha e këtyre veprimeve një vit më parë. Pagesat me kartë në vitet e fundit janë nxitur sidomos nga shtimi i numrit të turistëve të huaj.
Kërkesa nga turistët e huaj për të paguar me kartë ka shtyrë një numër më të madh biznesesh të pranojnë pagesa me këto instrumente. Rritja e pagesave me kartë është një sinjal pozitiv në drejtim të uljes së përdorimit të parasë fizike në ekonomi.
Shqipëria është një vend me shkallë të përdorimit të lartë të parasë cash, fenomen i lidhur me një përfshirje ende të pamjaftueshme financiare, por edhe me nivelin e konsiderueshëm të informalitetit dhe evazionit fiskal.
Kartat ngelet instrumenti dominues për pagesat jo cash në ekonomi. Megjithatë, me implementimin e projektit të instant payments (pagesave të shpejta) nga Banka e Shqipërisë vlerësohet se mund të rritet përdorimi i formave më të reja të pagesës direct nga llogaria bankare, nëpërmjet telefonave celularë.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.