Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka liruar nga detyra ambasadoren e Serbisë në Zagreb, Jelena Miliç, sipas një vendimi të publikuar në Gazetën Zyrtare të Serbisë këtë të martë. Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, ndërsa nuk është dhënë ndonjë arsye specifike për shkarkimin.
Ky zhvillim ndodh në një kohë përshkallëzimi të tensioneve mes Serbisë dhe Kroacisë, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes midis Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë më 18 mars në Tiranë.
Vuçiç e kritikoi ashpër këtë marrëveshje, duke e cilësuar si një përshkallëzim të garës së armatimit në rajon dhe deklaroi se Serbia do të ndërmarrë çdo veprim të nevojshëm për mbrojtjen e saj. Kroacia, nga ana e saj, mbrojti të drejtën për të bashkëpunuar në fushën e mbrojtjes me cilindo partner që zgjedh.
Marrëveshja u nënshkrua nga ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, homologu i tij kosovar, Ejup Maqedonci, dhe ministri kroat, Ivan Anushiç. Kjo lëvizje ka shkaktuar reagime të forta në Serbi, duke ndikuar në marrëdhëniet diplomatike rajonale.